Deklara bombë e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve: “Çështja e mikrokredive është krim shtetëror, të hetohen nga Guvernatori deri tek Përmbaruesit”

Prej vitit 2015 Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privat ka ngritur alarmin për skemën e mashtrimit me mikrokreditë. Dhoma e Përmbaruesve ka ndërhyrë disa herë jo vetëm duke vënë në dijeni instancat përkatëse, por edhe duke revokuar licensat e përmbarusve të ndryshëm të cilët janë të përfshira në këto skema, ku deri më tani prokuroria ka konstatuar mbi 35 milionë usd vjedhje.

Por a ka mjaftuar reagimi vetëm I dhomës kombëtare të përmbaruesve? Sigurisht që jo. Ccdo instancë do duhej të bënte të vetën në këtë histori, dhe nëse do ta bënin, edhe Pali që piu fostoksinë para SPAK do të ishte gjallë, por ndoshta edhe Olsi Ibro që ra nga kati I 8 I një pallati karabina, do të ishte gjallë.
Në kushtet kur shumëkush që ka detyrë të ndalë masakrën me kreditë dhe mikrokreditë, janë bërë palë me krimin, dhoma kombëtare e përmbaruesve privat, sot i drejtohet medias dhe institucioneve me një letër publike.
Letrën e plotë, e sjellim më poshtë:
Dhoma e Përmbarimit nuk reshti nga viti 2015 e në vazhdim ta denoncojë fenomenin e “Mashtrimit me kredi”, por shteti në gjithë zinxhirin e tij hierarkik bashkë me Bankën e Shqipërisë – HESHTI!
Kjo është letra e pestë publike, në të pestin vit rresht, që ne e drejtojmë si thirrje publike.
Në dhjetor 2020 denoncuam publikisht “Zhvatjen përmes kredisë” duke i bërë thirrje Kryeministrit të aktivizonte të gjitha instrumentet shtetërore për mbrojtjen e interesave të mijëra qytetarëve, që kishin rënë pre e mashtrimit financiar. I thirrëm ministrit të Drejtësisë të ndërmerrte veprime konkrete dhe të mos “flinte gjumë”, ndërsa mijëra qytetarë të mashtruar prisnin zgjidhje për hallin e tyre me sytë nga Ministria e Drejtësisë.
I thirrëm në të njëjtën ditë, prokurorisë që duhej, përveçse të zbardhte me themel këtë mashtrim publik, të ndërmerrte pa vonesë veprime efektive për të ndaluar maskaradën financiare që po vijonte intensivisht, megjithëse po hetohej e megjithëse ishte kohë pandemie.
THIRRJA E TREFISHTË NUK MORI ASNJË PËRGJIGJE!
Në gusht 2021 u drejtuam një tjetër thirrje publike institucioneve përgjegjëse shtetërore, që ato të reagonin menjëherë dhe të merrnin masa për të mbrojtur qytetarët shqiptarë nga skema e mashtrimit, që po krijonte pasoja të rënda sociale.
ASNJË PËRGJIGJE!
Më 14 shkurt 2022 thirrëm më fort kur dërguam komunikatën me titull “Fatet e mijëra shqiptarëve mbyllur në kutinë postare nr. 7469 – Akuzë publike për lejimin e mashtrimit publik”.
Me këtë thirrje publike ne “bërtitëm” pse kjo skemë mashtrimi nuk po ndalohej nga askush, pavarësisht demaskimeve mediatike, denoncimeve apo historive të dhimbshme të qindra qytetarëve, teksa mashtrimi po kthehej në “bumerang” për gjithë sistemin bankar në vend.
Ne u bëmë thirrje bankave të lironin menjëherë llogaritë e mijëra qytetarëve të mashtruar dhe akuzuam publikisht Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë për licencimin pa asnjë kriter ligjor të disa institucioneve financiare jobanka dhe për mosmbikëqyrjen totale të aktivitetit të tyre, në veçanti të Micro Credit Albania që kishte shkaktuar pasoja të rënda ndaj mijëra familjeve dhe qytetarëve shqiptarë.
Ne kërkuam që Kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prokuroria dhe Policia e Shtetit të merrnin masa të menjëhershme dhe të ndalonin pa asnjë ditë vonesë pasojat e rënda sociale që po shkaktonte fenomeni i mbledhjes së borxheve nëpërmjet mashtrimit dhe shantazhit.

PËRSËRI HESHTJE SHTETËRORE – ASNJË PËRGJIGJE! MADJE MASHTRIMI PUBLIK NË DY VITET E ARDHSHME DO TË SHUMËFISHOHEJ.
Më 14 nëntor 2023 iu drejtuam përsëri mediave dhe institucioneve me komunikatën “Stop ankandeve mashtruese”.
Kjo komunikatë u shoqërua me një evidencë të plotë provash. Mijëra ankande fiktive ishin afishuar në stendat e 61 bashkive të vendit. Skema e mashtrimit kishte funksionuar në mënyrë perfekte, pa u penguar nga askush: viktimave të “Mashtrimit me kredi” po u rrëmbeheshin pronat!

Ne kërkuam që Kryeministri, ministri i Drejtësisë dhe Prokuroria e Shtetit të merrnin masa urgjente dhe të ndalonin pa asnjë ditë vonesë këtë mashtrim masiv me pronat e qytetarëve.

HESHTJA SHTETËRORE ISHTE PËRGJIGJJA E RADHËS NDAJ REAGIMIT TONË PUBLIK!

Shteti heshti! Institucionet mbyllën sytë, ndërsa qytetarëve iu rrëmbye dinjiteti, prona dhe në një rast vetë jeta. Pal Trashaj nuk u vetëflijua për pronat të cilat ende sot i ka të sekuestruara, por për dinjitetin e nëpërkëmbur, nga shteti që heshti, që nuk e përfilli, nuk e dëgjoi.
Padrejtësia nuk helmoi vetëm Palin, por gjithë shoqërinë.
Prokuroria e Tiranës para pak ditësh transferoi hetimin në SPAK. Mashtruesit publikë i konsideroi një grup të strukturuar kriminal që funksionoi për nëntë vjet. Pra, mashtrimi lulëzoi në errësirën e indiferencës shtetërore për nëntë vjet pa u ndalur nga askush, derisa e vërteta doli në dritë dhe drejtësia u detyrua të vepronte tej çdo vonese të paarsyeshme, sepse ne nuk heshtëm!

Çdo letër e dalë nga Dhoma e Përmbarimit nuk është thjesht një dokument – është një dëshmi e heshtjes së padrejtë të institucioneve. Nëse numërohen një nga një, këto letra mund të kthehen në akuza penale për shumë zyrtarë të cilët, me vetëdije, zgjodhën të heshtnin përballë padrejtësive dhe mashtrimit që po u ndodhte për nëntë vjet qytetarëve.

Nga sot, ne do të fillojmë publikimin e tyre dhe nuk do të ndalemi derisa çdo padrejtësi e injoruar të marrë një përgjigje. (Shkresë prokurorisë – 4 dhjetor 2024)
Nëpërmjet kësaj letre publike, ne u bëjmë thirrje autoriteteve shtetërore të heqin dorë nga gjetja e alibive “ligjore” dhe “rregullatore” dhe të përballen me përgjegjësitë. Nuk është ligji i përmbarimit, as rregulloret e veprimtarisë bankare që shkaktuan krimin masiv financiar. Heshtja dhe indiferenca e tyre, po.
I bëjmë thirrje Kryeministrit të gjejë kohën, jo vetëm për podkastin e radhës, por edhe për të pyetur dhe kuptuar çfarë ka ndodhur realisht me fenomenin e mikrokredive në Shqipëri. Si ndodhi që, me një klik nga “Kulla” e Kadastrës digjitale – miliona euro prona u sekuestruan, shumë u tjetërsuan dhe mijëra qytetarë shqiptarë u kthyen në viktima të mashtrimit të një organizate kriminale – që gjetën bashkëpunëtorë brenda në shtet?

I bëjmë thirrje ministrit të Drejtësisë të gjejë kohën që, përveç filmave me Blerim Destanin, të shohë edhe ç’po ndodh me shërbimin përmbarimor shqiptar, përse po shkatërrohet si në asnjë vend tjetër të rajonit dhe Evropës. Përse nga një histori suksesi në 2013-ën përmbarimi privat po kthehet në një histori dështimi dhe falimentimi pas dhjetë vjetësh?

I bëjmë thirrje Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë të mos tregojë me gisht përmbarimin për skandalin, por bankierët e mikrokredive që u krijuan në laboratorin e BSH. Në asnjë vend të botës bankierët nuk krijohen me rregullore, por me ligj. E kundërta ndodhi në Shqipëri, ku dy “mikrobanka” sollën një “megadëm” që nuk po llogaritet dot as nga ju, as nga hetimi disavjeçar.

U bëjmë thirrje edhe atyre që muajt e fundit gjetën kurajën të na etiketonin të gjithëve si “bandë” të heshtin nga sot. Nuk mund të jetë një organizatë e tërë, “bandë” se disa zgjedhin të bëhen banditë. Qoftë kjo organizatë politike, mediatike apo profesionale juridike. Nuk mund të jenë banditë të gjithë noterët, avokatët, ekspertët, politikanët, gjyqtarët dhe gazetarët se disa syresh dalin të tillë.

Ne u bëjmë thirrje edhe bankierëve të mikrofinancës që po hetohen, bashkë me ta edhe përmbaruesve të cilët në një çast harruan betimin dhe shitën shpirtin më shumë sesa vulën, të mos heshtin – por të tregojnë të vërtetën e gjithë këtyre 9 viteve para organeve të drejtësisë. Të vërtetën e kësaj historie shumëvjeçare mashtrimi bashkë me “Aksionerët” e vërtetë të saj.
E vërteta juaj do të ndihmonte për ringritjen e imazhit të rrënuar të një armate përmbaruesish, avokatësh, noterësh dhe ekspertësh të ndershëm, por më shumë do të lehtësonte mijëra shqiptarë të grabitur, që sot enden rrugëve, të çorientuar dhe të pashpresë.
Ne nuk do të heshtim përballë padrejtësive që po rëndojnë mbi qytetarët dhe po minojnë sistemin e drejtësisë dhe të ekzekutimit në Shqipëri. Çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, ne do të flasim dhe ftojmë median të na dëgjojë dhe të bashkëpunojmë.
Bashkë, le të bëhemi një zë i vetëm kundër padrejtësisë.

http://38.242.238.213/index.php/2024/12/09/leter-publike-9-dhjetor-2024-heshtja-qe-solli-padrejtesite/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *