Në raportimin vjetor përpara Komisionit të Ligjeve, drejtusi i SPAK Altin Dumani ka evidentuar se grupet kriminale shqiptare janë sofistikuar dhe e kanë shtrirë aktivitetin ndërkombëtarisht.
Në fjalën e tij, Dumani theksoi se grupet shqiptare të përfshira në trafikun e drogës, kanë pozicione dominuese në vendet e origjinës, përfshirë edhe ato në Amerikën Latine.
Altin Dumani ka renditur edhe disa prej veçorive të grupeve kriminale shqiptare.
“Disa prej veçorive janë anëtarët prej 20-25 persona, aktiviteti polikriminal, dhuna për kontroll territori, përfshirja e femrave në pozicione dytësore, vrasje të sofistikuara me pagesë, komunikimet e koduara, dhe konvertimi i parave në kriptovaluta”.
“Tregjet kriminale në Shqipëri paraqesin situatë shqetësuese me grupe aktive në qytete si Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fieri, Shkodra, Elbasani, Kurbini dhe Fushë-Kruja. Në Tiranë dhe qytetet bregdetare, grupet merren kryesisht me pastrimin e parave, ndërsa trafiku i narkotikëve është shfaqur problematik në Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Kurbin. Korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë është i evidentuar në Durrës, Shkodër, Laç dhe Fushë-Krujë. Vrasjet dhe tentativat për vrasje janë të shpeshta në Durrës, Fushë-Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan. Në Fushë-Krujë është i pranishëm tregtia e armëve, lëndëve shpërthyese si dhe makinat e vjedhura të cilat pastaj përdoren në ngjarje kriminale.
Investimet në prona të luajtshme dhe të paluajtshme mbetet mënyra kryesore për pastrimin e parave në Shqipëri, veçanërisht në apartamente, ndërtesa dhe njësi shërbimi në Tiranë dhe zona turistike kryesisht në Vlorë, Durrës, Lezhë. Gjithashtu një numër i konsiderueshëm parash dyshohet se depozitohen në llogari bankare në emra shoqërish tregtare ose të afërm të të dyshuarve. Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri përfshin përdorimin e bankave dhe bizneseve shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane. Në një rast, një biznes shqiptar bashkëpunoi për t’i dhënë akses përfaqësues të mafies ndërkombëtare të integronte të ardhurat kriminale në sektorin bankar për shtresëzimin e transfertave që pastaj do të transferoheshin po me ndihmën e biznesit vendas jashtë vendit. Bashkëpunimi shumë i mirë me bankat e nivelit të dytë dhe FIU bëri që ky operacion i grupeve kriminale të dështonte”, u shpreh Altin Dumani.