Kryedemokrati Lulzim Basha në një prononcim për mediat nga selia blu ka reaguar në lidhje me dorëzimin e firmave nga ish-kryeministri Sali Berisha një ditë më parë për të thirrur Kuvendin Kombëtar. Basha tha se e gjitha ishte një bllof i luajtur nga Berisha për hallet e tij personale, ndërsa theksoi se Kuvendin mund ta thërrasë vetë ai (Basha) kur bëhet fjalë për demokratët, ndërsa shtoi Berisha dështoi me mbledhjen e firmave që duhen për mbledhjen e Kuvendit. Kryedemokrati Basha tha se e kanë betejën me Edi Ramën, ndërsa në Parlament ndodhen për të rrëzuar këtë regjim dhe për t’i kthyer qytetarëve shqiptarë votën e vjedhur dhe shpresën e vrarë.
“I zhgënjyer nga tallja që i ka bërë demokratëve dje. Duke fshehur blofin dhe mungesën e firmave për 1/4 e anëtarëve të Kuvendit që do vininin në lëvizje mekanizmin për thirrjen e Kuvendit Kombëtar. Nëse do i kishte mbledhur do i kishte dorëzuar sipas statutit, procedura statutore që ai e njeh shumë mirë. Nuk e ka bërë se ka qenë e gjitha një bllof për hallet e tija personale. Ka një proces të qartë që Bardhi ua ka shpjeguar. Qëndrimin tim e keni të qartë. Kuvend Kombëtar sa herë të jetë i nevojshëm jam i gatshëm ta thërras unë, për demokratët dhe një kuvend të demokratëve. Dua ta hedh poshtë gënjeshtrën e shpërndarë se PD dhe kryetari i saj nuk duan Kuvend. Kam thënë këtu dhe kudo që asnjë kuvend dhe asnjë institucion i PD nuk do marrë në shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane dhe PD nuk do kthehet në bunkier për hallet personale të Berishës, por do mbetetet shpresa e demokratëve. Do ecim përpara se kemi një armik, një regjim, që është Edi Rama. Regjimi mbështetet në një trekëndësh. Regjimi është bërë pjesë për një puç brenda PD. Kam një thirrje për Berishën. Nuk i kishe firmat, dhe nuk i dorëzove sipas rregullave statutore. Boll harxhove kohën e demokratëve dhe boll e ndihmove Edi Ramën, PD do bëjë gjithçka nën lidershipin e zgjedhur. Kemi një armik, Edi Ramën, ta çojmë përpara fundit politik, të kthejmë legjitimitetin dhe demokracinë në shina.” -tha Basha.
Një ditë më parë, duke artikuluar për herë të parë ambicien për rikthim si kryeministër, ish-lideri demokrat Sali Berisha tha se dorëzoi në Këshillin kombëtar të PD, 4200 firma për të thirrur Kuvendin Demokrat.
Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi la të kuptohet se nuk do ta mbledhë Kuvendin, duke e akuzuar Berishën për shkelje të rënda të statutit. Sipas tij, ish-lideri demokrat luajti blofin, pasi nuk ka mbledhur as 1800 firma, që është minimumi që kërkohet.
/Priza.al/