Ish-kryeministri Sali Berisha e ka quajtur të pamundur deklaratën e bërë sot nga kreu i qeverisë Edi Rama, se po mendohet që Shqipëria të dalë jashtë juridiksionit të Gjykatës së Arbitrazhit.
Berisha tha se Gjykata e Arbitrazhit është një institucion në varësi të Bankës Botërore dhe OKB-së, dhe Shqipëria nuk mund të tërhiqet nga konventa e nënshkruar.
Sipas Berishës, gjyqi i fituar nga Beçeti ndaj qeverisë shqiptare, nuk do të jetë i vetmi, pasi shumë çështje të tjera miliona eurosh, janë në proces e sipër.
“Arbitrazhi ndërkombëtar që ta dini ju është në ombrellën e Bankës Botërore, rrjedhimisht nën ombrellën e OKB. Janë institucione në varësi të OKB, arbitrazhi i kësaj organizate është i detyrueshëm për të gjitha anëtarët e BB dhe OKB. Edi Rama për shkak të korrupsionit të tij të tmerrshëm kërkon që të ndëshkojë Shqipërinë, jo vetëm 110 milionë euro, por në shumëfishin e saj. Unë ju them shqiptarëve që po në këtë arbitrazh dhe në arbitrazhe të tjera, janë një seri procesesh, të cilat shkojnë më së paku te 600 milionë euro. Arbitrazhi i portit të Durrësit është në përfundim e sipër, shkon në shuma shumë të mëdha. Edi Rama ndërhyu në një problem mes dy kompanive private, i paftuar.”