Deklarata e Vuçiq se nuk e lejon Kosovën në OKB, reagon Qeveria Gjermane

 

Dy ditë pas takimit të nivelit të lartë në Bruksel ku kishte shfaqur pajtueshmërinë e tij për planin franko-gjerman, presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq në një intervistë për RTS-në kishte deklaruar se në asnjë mënyrë nuk do të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kjo kishte nxitur edhe reagimin e kryeministrit Albin Kurti i cili ka thënë se deklarata e Vuçiqit përbën shkelje të Nenit 4 të marrëveshjes për të cilën kishin ra dakord në takimin e 27 shkurtit.

Lidhur me këtë deklaratë të shefit të shtetit serb dhe situatën e krijuar në një momentum të tillë të procesit, në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express kanë folur nga Qeveria Federale e Gjermanisë të cilët janë edhe negociatorët kryesor në këtë proces negociatash.

Nga Berlini zyrtar thonë se ajo që ka ndodhur më 27 shkurt në Bruksel është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së bazave të një raporti të qëndrueshëm në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe bazuar në këtë palët duhet të angazhohen që sa më shpejt të arrihet marrëveshja në mirëbesim dhe me aneksin që përshkruan hapat e zbatimit të saj.

Kur flasin për Aneksin e Zbatimit, gjermanët specifikojnë se pjesë e Aneksit duhet të jenë edhe hapat për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Kosova dhe Serbia kanë bërë një hap të rëndësishëm më 27 shkurt në kuadër të dialogut të drejtuar nga Bashkimi Evropian duke u pajtuar në tekstin e propozuar që synon të vendos raportin e tyre në një bazë të re dhe të qëndrueshme. Duke u mbështetur në këtë, ne presim që të dyja palët tani të angazhohen në diskutime të shpejta dhe të plota për të rënë dakord mbi hapat që janë të nevojshëm për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Synimi duhet të jetë që së shpejti të lidhet kjo marrëveshje në mirëbesim dhe me një aneks që përshkruan zbatimin e saj. Pjesë e kësaj duhet të jenë hapat për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”, kanë thënë një Zëdhënës i Qeverisë Gjermane për Gazetën Express.

Në fund nga Qeveria Gjermane kujtojnë se Këshilli Evropian në përfundimet e nxjerra më 9 shkurt ka shprehur mbështetjen për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe në të njëjtën kohë ka bërë thirrje për të dy palët që ta implementojnë atë plotësisht dhe pa kushtet, përfshirë edhe kërkesën që obligimet e marra në kuadër të dialogut. Këtu i përmendin marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Në konkluzionet e tij të datës 9 shkurt, Këshilli Evropian shprehu mbështetjen e tij për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe në të njëjtën kohë i kërkoi Serbisë dhe Kosovës që të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte, detyrimet për të cilat u zotuan në kuadër të dialogut, përfshirë marrëveshjet nga viti 2013 dhe 2015 për të krijuar Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe”, kanë përfunduar për Express nga Qeveria Federale e Gjermanisë.

Në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar që propozimit franko-gjerman të mos i shtohet e hiqet as edhe një presje.  Tashmë ka mbetur që diskutimet të vazhdojnë për Aneksin e Implementimit, diskutime këto në të cilat do të përfshihet edhe çështja e Asociacionit.

 

Duke qenë se palët janë pajtuar për propozimin evropian, Brukseli ka vendosur që ta bëjë publik atë, në ndërkohë që Lajçak do të vazhdojë përpjekjet e tij për të gjetur pajtim mes Kosovës dhe Serbisë edhe për Aneksin e Implementimit. Pritjet e ndërkombëtarëve janë që Kosova dhe Serbia ta nënshkruajnë marrëveshjen më 18 mars në Ohër.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *