Ai nuk ishte vetëm hero, por pas tij është ende një familje fisnike. Xhaxhai i Arjan Salës, pas iu dorëzua familjes certifikata ‘Dëshmor i Atdheut’, bërë një deklaratë prekëse për mediat. Teksa i ka falënderuar të gjithë shqiptarët që në këto momente iu janë gjendur pranë, është shprehur se Sala bëri që sot të “qante vetëm një nënë, dhe jo dhjetëra”, pasi arriti të shpëtonte 20 kolegët e tij.
Xhaxhai ka rrëfyer se i kanë ardhur për vizitë presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, e ndërsa është shprehur se shpallja e nipit të tij “Dëshmor i Atdheut”, ua ka lehtësuar sado pak dhimbjen.
“Kanë ardhur të gjithë me radhë, Meta e Rama, dhimbja po na shkatërron. U dorëzua certifikata, ishte gjëja më e mirë që mund të na lehtësojë shumë dhimbjen. Sa të qanin shumë nëna, qanë vetëm një nënë. Ju si gazetarë jeni të mrekullueshëm, na ndihmuat në gjendjen e djalit. Me organizata e fondacione të gjithë na kanë ndihmuar. Dhe individë, na kanë ardhur zarfa pa adrese, nga Shkodra, sensibilizim i paparë, për Janin, pa i njoftuar. I përgëzoj shqiptarët”, tha xhaxhai.
Sala punonte si shef i sigurisë në magazinën e qendrës tregtare “Casa Italia” , kur flakët u përhapën me shpejtësi. Ai arriti që të nxirrte nga magazina 20 kolegët e tij, e ndërsa vetë nuk ia doli. Trupi i pajetë u gjet pas 3 ditësh.