Pas deklaratave të forta të Berishës ka ardhur edhe reagimi i Shteteve tëBashkuara të Amerikës. Ambasada amerikane në Tiranë ka thënë se do ta luftojë me të gjitha forcat korrupsionin.
“Midis urdhrit ekzekutiv të Presidentit Biden, shpalljes nga sekretari i shtetit Blinken, deklaratave të ambasadores Kim përpara shtypit medias javën e kaluar dhe editorialit të saj këtë javë, qëndrimi i SHBA është i qartë dhe i pandryshuar: Lufta kundër korrupsionit përbën një interes thelbësor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe ne do të përdorim të gjitha instrumentet që kemi në dispozicion për tu përballur me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë”,- ka thënë ambasada në reagimin e saj.
Mesditën e sotme, ish-kryeministri Berisha publikoi padinë e ngritur ndaj Blinken, ndërsa iu drejtua Sekretarit Amerikan, por edhe ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e cila kërkoi mosfutjen e tij në Parlament, që të nxjerrin faktet, provat dhe dokumentet që kanë ndaj tij për konsumim të veprës penale të korrupsionit.
Berisha e cilësoi vendimin për shpalljen e tij “non grata” një vendim politik dhe hakmarrje të George Soros dhe Edi Ramës, ndërsa nuk kurseu dhe sulmet e forta ndaj ambasadores Kim, teksa e cilësoi atë si “guvernatore” në vendin tonë.
/Priza.al/