Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq ka mbajtur një konferencë për media në Petrinja, nga ku foli për luftën në Ukrainë, duke u shprehur kundër dërgimit të armëve atje.
Ndër tjerash, ai aty gjeti shkas të flasë edhe për Kosovën, duke thënë se ajo u aneksua nga bashkësia ndërkombëtare. Tani, sipas Milanoviqit, Rusia po e bën të njëjtën në Ukrainë, raporton agjencia kroate e lajmeve, Index, përcjell Gazeta Express.
“(Kosova) është rrëmbyer nga Serbia. Kosova është marrë nga Serbia, a është kështu? A e kemi njohur Kosovën, po e kemi njohur. Unë jam prapa Kosovës, por pasi kjo është bërë njëherë (aneksimi), pra pa vullnetin e shtetit (Serbisë), të cilës Kosova i ka takuar e kjo ka qenë Serbia, respektivisht Jugosllavia, e cila për ne nuk është shtet mik dhe as që jemi brengosur për ta, ka qenë vetëm çështje kohe se kur Rusia apo dikush tjetër do të bëjë të njëjtën dhe kjo tani po ndodhë”, ka thënë ai.
Presidenti kroat vazhdoi më tej dhe dikur tha se “nuk është në pyetje kontestimi i Kosovës”.
“Ajo u mor nga Serbia. Kush e bëri këtë përveç nesh? A e njohëm ne Kosovën? Nuk është aneksim, është rrëmbim. Si quhet? Nxjerrje. Nuk është fyti, por qafa. Unë kam shumë miq atje, shpresoj që po e kuptoni se çka po flas. Këtu nuk është në pyetje kontestimi i Kosovës, por i gjithë koncepti. Kjo është vënie në pikëpyetje e krejt konceptit ku dikush mendon se ka të drejtë për gjithçka”, ka thënë Milanoviq.
Sipas tij, Serbia dhe Rusia nuk janë njësoj. Milanoviq i quajti “çmenduri” disa diskutime në Parlamentin Europian rreth luftës në Ukrainë.
“Ne dhe serbët nuk e urrejmë njëri-tjetrin aq shumë”, ka thënë ndër tjerash Milanoviq.
Këto deklarata të presidentit kroat, bënë menjëherë bujë në mediat serbe. “Informer”, një nga mediat e kontrolluara nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, shkroi për këtë, duke e vendosur këtë titull: “Milanoviq e pranoi: KOSOVA U rrëmbye NGA SERBIA!”.