Qeveria prezantoi projektligjin për “Dekoratat” që kufizon autoritet dhe numrin e tyre duke i vendosur Presidentit një “kuotë” vjetore dhe hequr disa institucione
Për deputetët e PD-së ky është cenim i hapur që qeveria po i bën institucionit të Presidentit, duke i vendosur një limit në dhënien e dekoratave dhe kufizim të autoritet kushtetues të tij.
Për deputetin Ferdindad Xhaferraj, ligji duhet të shtyhet pasi nuk ka një urgjencë në legjislacion.
Për ministren e Shtetit në Marrëdhënie me Parlamentin, Elisa Spiropali, nuk cenohet asnjë e drejtë kushtetuese e Presidenti, por sipas saj autoritetet e kufizuar numri i institucioneve propozuese. Kufizimin e numrit të dekoratave, ministrja e argumenton se është bërë për ti dhënë dinjitet dekoratës, institucioneve që e propozojnë dhe atij që e merr.
“Kushtetuta ia njeh Presidentit të drejtë për të dhënë dekorata. Ne nuk do t’i bëjmë si titujt që ju i jepni njëri-tjetrit sa herë që keni probleme me veten. Por, do i japin denjësinë që u takon institucioneve të tyre. Patjetër që grupit të punës mund t’i ketë shpëtuar diçka dhe ju keni ekspertizën që të propozoni ndryshime të domosdoshme. Për të shmangur partitizmin në dhënien e medaljeve dhe titujve, shmangur abuzimin dhe krijuar një urdhër të tërë dhe sistem që garanton vlerësimin më të lartë për ata që e meritojnë. Me këtë ligj, nuk mund të ketë dekorime të dyfishta dhe marrje apo dhënie kompetencash nga një institucion te tjetri”, tha Spiropali.
Për kreun e Kadastrës Artan Lame, në rolin e ekspertit dhe pjesë e grupit të punës për hartimin e këtij projektligji, ky projektligj rregullon institucionet dhe praktikën për dhënien e dekoratave dhe jo numrin.
“Me ligjin e ri nuk ka kufizim në numër të medaljeve, por të urdhrave. Ndoshta erdhi për shkak të degradimit të sistemit të dekorimeve të Presidentit Meta. Tani janë 5-6 autoritete të rëndësishme, jo nga rruga, që kanë të drejtën për të propozuar. Ju them edhe një gjë që dekorimi në numra ka të bëjë me peshën. Kalon në disa komisione. Lufton me disa persona që do të dekoroheshin duke kaluar në disa faza. Kthehet në histori balancimi vlerash.
Dekoratat maksimale janë të limituara jashtëzakonisht në numër. Ne e zgjeruam në raport me vendet perëndimore sepse nuk ja lamë vetëm kryeministrit, por e ngushtuam në raport me çfarë ishte duke ja lënë vetëm disa institucioneve. Nuk është aq e thjeshtë sa të thuash që do Kryeministri t’i përdorë për fushata apo vota. Këto bëhen pikërisht për t’i rritur vlerën dekorimit. Kur ai që e merr të mendojë që ka kaluar në disa filtra. Do kthehet në një lloj eventi shtetëror për këto raste dhe ata që do të marrin do të jenë në sytë e publikut”, tha Lame, duke mos dhënë përgjigje përse janë hequr disa institucione si propozues për dekoratat dhe lënë vetëm ato nën varësi të qeverisë.