Presidenti Ilir Meta është takuar këtë të enjte me ambasadorin e Bullgarisë, Momtchil Raytchevski.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Meta shkruan se i është mirënjohës Bullgarisë për mbështetjen e dhënë në lidhje me integrimin në BE, ku dhe ka dekoruar ambasadorin me titullin “Për Merita të Veçanta Civile”.
“Në vlerësim të veprimtarisë së tij të spikatur diplomatike dhe kontributit të posaçëm të dhënë për forcimin e marrëdhënieve tradicionale të shkëlqyera dypalëshe, pata sot kënaqësinë e posaçme të vlerësoja me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” një mik të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, Ambasadorin e Bullgarisë, Momtchil Raytchevski.
Përherë mirënjohës Bullgarisë mike për mbështetjen e vendosur dhe të vazhdueshme të procesit të integrimit evropian të vendit tonë, si dhe për ndihmesën e hershme dhe shumë të vyer të dhënë në Pavarësinë dhe zhvillimin e shtetit shqiptar”, shkruan ai.