Dekreti/ Gjyqtarit të Kushtetueses i mbaron mandati, Presidenti Meta shpall vakancën për një mandat 9-vjeçar  

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka njoftuar shpalljen e procedurës së aplikimit për emërim gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese, me qëllim plotësimin e vakancës me mandat 9-vjeçar, që krijohet më 8 prill pas përfundimit të mandatit të anëtarit të saj Përparim Kalo.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se, Presidenti i Republikës, pasi u njoh me njoftimin e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese nr.11 prot., datë 07.01.2022, me Dekretin nr. 13 413, datë 13.01.2022, ka miratuar:

Shpalljen e procedurës së aplikimit për emërim gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me qëllim plotësimin e “Vakancës së plotë”, me mandat 9-vjeçar, që krijohet më datë 08.04.2022.

Presidenti i Republikës fton çdo person të interesuar që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara në Kushtetutën e vendit, nenin 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të marrë pjesë në këtë procedurë të konkurrimit të hapur publik, për vakancën e mësipërme, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe të paraqesë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës dokumentacionin përkatës.

“Afati i paraqitjes së kërkesës me dokumentacionin e nevojshëm, është brenda datës 04 shkurt 2022. Pas administrimit të dokumentacionit, lista e aplikantëve do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të institucionit të Presidentit të Republikës dhe me mjetet e informimit publik, si dhe menjëherë dosjet respektive për secilin aplikant do t’i përcillen Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për vlerësim sipas Kushtetutës dhe ligjit”,- thuhet në njoftimin e Presidentit Meta.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *