Një kopje jashtëzakonisht e rrallë origjinale e Kushtetutës Amerikane, e ratifikuar më 17 shtator 1787 në Filadelfia, së shpejti do të dalë në ankand në Nju-Jork, njoftoi shtëpia e ankandeve “Sotheby’s”.
Në një deklaratë për shtyp, Sotheby’s e përshkroi dokumentin si “më të rrallë se printimi i parë i Deklaratës së Pavarësisë”. Specialisti i lartë i librave dhe dorëshkrimeve i shtëpisë së ankandit, Selby Kiffer, ndërkohë citohet të ketë thënë se artikulli është “një nga dokumentet historikë më të rrallë dhe më të lakmuar” që është drejtuar ndonjëherë në ankand.
Sotheby’s po ekspozon një koleksion privat të dokumenteve kushtetuese amerikane, që datojnë nga periudha revolucionare 1776-1789, përfshirë Kartën e famshme Kushtetuese të nënshkruar në Filadelfia nga “Etërit Themelues” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndër të cilët George Washington, Benjamin Franklin dhe James Madison.
Për Selby Kiffer, një ekspert historie për dorëshkrimet dhe librat e lashtë në Sotheby’s, dokumenti është një “shtypje e parë (kopje) fantastike e Kushtetutës së SHBA-së, ndoshta, e shtypur më 16 shtator (1787) në mbrëmje”.
“Një dokument jashtëzakonisht i rrallë, sepse ka vetëm 11 kopje të njohura, ndërkohë që mund të jenë shtypur, ndoshta, 500”, shpjegoi Kiffer..
Teksti kushtetues, që fillon me këtë formulë të famshme “Ne, populli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me qëllimin e formimit të një bashkimi më të përsosur, (…) dekretojmë dhe vendosim këtë Kushtetutë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është vlerësuar nga Sotheby’s midis 15 dhe 20 milionë dollarëve dhe do të dalë në ankand në fund të nëntorit.
Të ardhurat nga shitja do të shkojnë për Fondacionin Dorothy Tapper Goldman, një organizatë e përkushtuar për të “çuar përpara kuptimin e demokracisë sonë dhe se si veprimet e të gjithë qytetarëve mund të bëjnë ndryshimin”, sipas një njoftimi për shtyp
/Burimi: Fox10news/ Përshtati Priza.al/