Në moshën e pjekur 100-vjeçare, themeluesi i kompanisë lider japonez të taksive, Hajime Kurotsuchi, ka lajmëruar se është koha për t’u tërhequr.
Këtë e ka bërë të ditur vetë sipërmarrësi në një konferencë për shtyp, duke shpjeguar se do të mbetet ende i lidhur me kompaninë si konsulent. I lindur në prefekturën perëndimore të Oitës, Kurotsuchi duhej të linte shkollën e mesme sepse u thirr në armë gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të shërbyer në Kinë me ushtrinë perandorake japoneze.
Kompania që merr emrin Daiichi Kotsu Sangyo Co, filloi në vitin 1960 me vetëm 5 taksi, dhe më pas u zgjerua përmes bashkimeve me operatorë të tjerë, për t’u bërë lider në treg me mbi 8000 makina.
Në vitin 2015 Kurotsuchi duhej të tërhiqej përkohësisht nga roli i tij operacional për shkak të një aksidenti në punë, por u kthye dy vjet më vonë me një pozicion drejtues. Edhe sot shkon çdo ditë në zyrë sipas shtypit japonez dhe merr pjesë çdo ditë në mbledhjet e bordit drejtues që zhvillohen online.
Ndër këshillat për të qëndruar të shëndetshëm, sipas njëqindvjetorit të shkëlqyeshëm, ka ato “të mos hani shumë dhe të mos pini shumë, si dhe të ushtroheni të paktën 10 minuta në ditë”. Gjatë konferencës për shtyp, Kurotsuchi tha se ditën kur fryu 100 qirinj, janarin e kaluar, e kuptoi “sa e shkurtër ishte jeta” dhe shpresonte që të gjithë të arrinin këtë moment historik.