Presidenti Bajram Begaj, priti sot një delegacion të përbërë nga kryetarë të komunave arbëreshe.
Gjatë takimit, Presidenti Begaj foli për modelin e shkëlqyer që diaspora historike arbëreshe ka dhënë në ruajtjen e gjuhës, traditave dhe kulturës shqiptare.
“Ju keni arritur të ruani shumë mirë ekulibrin midis integrimit dhe ruajtjes së identitetit për rreth gjashtë shekuj,” tha Presidenti Begaj.
Presidenti Begaj u ndal dhe tek roli i arbëreshëve në ruajtjen dhe trashëgimin e gjuhës shqipe. “Dashuria dhe përkushtimi nga arbëreshët për të trashëguar gjuhën dhe kulturën tonë ndër breza ka mundësuar ngritjen e katedrave të gjuhës shqipe në Universitetin e Romës, Napolit, Kozencës dhe Palermos, që janë shndërruar në vatra të rëndësishme edukimi.”
Kreu i Shtetit i siguroi të pranishmit se shteti shqiptar do të vazhdojë t’i kushtojë arbëreshëve vëmendjen e duhur si pjesë e qenësishme e kombit shqiptar.