Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta e konsideroi skandaloz vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Në “Tonight Live”, Meta tha se Kushtetuesja nuk i ishte drejtuar Komisionit të Venezias për ta pyetur lidhur me kërkesën e ish-kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi. Kjo ndodhi sipas tij, me urdhër të Ramës.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale ishte një dështim skandaloz. Të vetmen pyetje që Voltana Ademi i kishte bërë për dekretin e presidentit kushtetuesja nuk ia çoi Venezias. Gjykata Kushtetuese tha që unë nuk kam këllqe të merrem me këtë punë se nuk më lë Edi Rama,”- tha Meta.
Gjykata Kushtetuese iu drejtua Komisionit të Venecias për të marrë një opinion final në lidhje me zgjedhjet. Sipas opinionit final të Komisionit të Venecias, Gjykata Kushtetuese nuk e ka në kompetencën e saj gjykimin si antikushtetues apo jo një proces zgjedhor si ai i zgjedhjeve vendore të vitit 2019, por kjo nuk e pengon që të ushtrojnë kontroll mbi legjislacionin zgjedhor. Komisioni i Venecias la në fuqi zgjedhjet e 30 Qershorit dhe nuk këshillonte Gjykatën Kushtetuese që t’i përsërisë zgjedhjet e 30 Qershorit. Bazuar në kë ‘mendim’, Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e bërë nga ‘Shoqata e Bashkive’ për ta shpallur procesin e zgjedhjeve si antikushtetues.
Kërkesa në Gjykatën Kushtetuese u paraqit nga Shoqata e Bashkive, por Kushtetuta përcaktoi se për të vënë në lëvizje gjykatën kjo duhej bërë nga “subjektet e përcaktuara nga vetë Kushtetuta si të tilla që të mund të kërkojnë gjykimin e një mosmarrëveshjeje kushtetuese”.