Policia ka dhënë informacion në lidhje me dëmtimin e derës hyrëse të KZAZ-së numër 42 në Kavajë e ngritur në një shkollë e cila aktualisht është jashtë funksionit.
Sipas policisë rezulton se dera është hapur me forcë nga disa fëmijë të moshave 9, 10 dhe 13 vjeç.. Ata janë marrë në pyetje në prani të prindërve dhe psikologut, ku kanë deklaruar se kanë qenë duke luajtur me njëri tjetrin dhe kanë hyrë në katin e parë të godinës.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për dëmtimin e derës hyrëse të KZAZ Nr. 42, në shkollën “26 Marsi” (aktualisht jashtë funksionit), ju sqarojmë se:
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se dera është hapur me forcë nga disa shtetas të mitur, të moshave 9, 10 dhe 13 vjeç. Të miturit janë intervistuar në prani të prindërve, psikologut, avokatit, punonjësve sociale të bashkisë Kavajë dhe kanë treguar se gjatë kohës që kanë qenë duke luajtur me njëri-tjetrin, kanë hyrë në ambientet e shkollës së mesme “26 Marsi”, në katin e parë, ku është edhe KZAZ Nr. 42.