Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, ka folur sërish pas takimit me ministren për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka për çështjen Beleri, duke theksuar se duhet të ketë drejtësi të pavarur.
Kujtojmë se Xhaçka tha se i bëri të qartë Dendias, se arrestimi i Fedi Belerit nuk është një çështje politike, por e zbatimit të ligjit.
Dendias foli në televizionin Ant1 Dendias për vendimin për zgjatjen e masës së paraburgimit të Fredi Beleri ku tha se: “Ministria e Jashtme ka dhënë një njoftim zyrtar. Zgjatja e paraburgimit, bie ndesh me ndjenjën e drejtësisë publike dhe perceptimin europian të shtetit të së drejtës. Por ka edhe gjëra që nuk thuhen në publik”.
“Takova edhe homologen time shqiptare dhe i thashë gjithçka që shumëkush kupton se duhet t’i thosha. Ne nuk duam të sjellim askënd në pozitë të vështirë, por nga ana tjetër jo vetëm qeveria greke, por edhe BE nuk do të tolerojë shkeljet e shtetit ligjor nga një vend në Europë”, tha ministri grek.
Dendias theksoi më tej se është për të ardhur keq që ndodhi kjo sepse marrëdhëniet greko-shqiptare në këtë periudhë shënuan një përparim të jashtëzakonshëm, në një kohë ku çështja është e bredshme për vendin tonë.
“Kur u themi të gjitha vendeve se duhet të ketë drejtësi të pavarur, të gjitha vendet që janë në rrugën e anëtarësimit, dhe me të drejtë e themi këtë, në asnjë mënyrë kjo që nuk mund të kundërshtohet dhe të mos zbatohet, pra të ketë drejtësi të pavarur. Por meqenëse kemi edhe një periudhë zgjedhore nuk dua të shndërrohet ky problem në një çështje të fushatës zgjedhore. Sistemi grek e njeh në mënyrë absolute këtë çështje dhe ka identifikim absolut të pikëpamjeve, ndaj mendoj se në tërësi e di shumë mirë se çka duhet bërë atje dhe do ta bëjë me gjithë seriozitetin e duhur. Është gjithashtu për të ardhur keq që ndodhi kjo sepse marrëdhëniet greko-shqiptare në këtë periudhë shënuan një përparim të jashtëzakonshëm”, tha Dendias.