Katër shqiptarë janë dënuar në Angli për përfshirjen e tyre në kultivimin e një sasie të madhe kanabisi, me një vlerë prej rreth 330 mijë paund.
Mikel Hasani, 28 vjeç nga Hinckley, Leicestershire, dhe tre shqiptarë të tjerë, Martin Kurti, 27 vjeç, Ardit Lataj, 30 vjeç, dhe Arlind Neza, 32 vjeç, janë shpallur fajtorë për prodhimin e kanabisit në një seancë gjyqësore në Gjykatën e Stafford Crown më 8 korrik.
Policia e Staffordshire zbuloi 944 bimë kanabisi, 560 paund në para të gatshme dhe disa telefona në një kontroll të kryer më 8 mars. Droga u konfiskua dhe u shkatërrua.
Hasani mori dënimin me dy vjet e tre muaj burg dhe një gjobë prej 228 £, ndërsa Kurti, Lataj dhe Neza u dënuan me dy vjet burg secili dhe u urdhëruan të paguanin një gjobë prej 187 £.
Kryeinspektori Tim Norbury e cilësoi këtë rast si një fitore të madhe në luftën kundër kultivimit të drogës.