Bashkia Kamëz ka reaguar në lidhje me denoncimin e partisë së Lirisë për shkollën “Ibrahim Basha“.
Përmes një postimi në ‘Facebook‘, bashkia e Kamzës shkruan se shkolla“ Ibrahim Basha“ është pjesë e programit “EU4Schools”, në kuadër të proçesit të rindërtimit.
Sakaq shton se janë marrë të gjitha masat për sistemimin e nxënësve në shkollat “Halit Coka” dhe “Elez Isuf Ndreu” në Bathore.
Ndër të tjera shkruan se kushtet janë akoma më të mira, pasi shkolla e parë rrezikonte jetën e fëmijëve.
Postimi i plotë:
Gjatë procesit për riparimin e godinës kontraktori i punimeve është tërhequr nga kontrata për shkak të rritjes së çmimeve, si pasojë e ndikimit nga lufta në Ukrainë. Aktualisht po punohet për zgjidhjen e problemeve kontraktuale dhe miratimin e një kontrate të re, për të filluar sa më shpejt punimet. Për Bashkinë Kamëz siguria dhe jeta e fëmijëve prevalon ndaj çdo sacrifice.
Pas postimit të Bashkisë, ka reaguar sërish deputetja e PL, Erisa Xhixho e cila shkruan se ditë e nesërme kur fillon viti i ri shkollor 900 nxënës e kanë të pamundur të shkojnë në shkollën e tyre, ku do detyrohen që të shkojnë në një vend tjetër 1 orë larg.
Reagimi i plotë:
Jo për t’iu përgjigjur qëndrimit të një të ashtuquajturi kryetar bashkie, por për të qenë në anën e qytetarëve dhe për të ngritur zërin bashkë me ta, po e bëj të qartë se unë, më së pari si grua dhe si nënë, por edhe si deputete dhe pedagoge, shkova në shkollën “Ibrahim Basha” në Bashkinë Kamëz në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, sepse 900 nxënës nesër nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollën e tyre, por do të detyrohen të shkojnë në shkolla dhe 1 orë larg vendbanimit në turnin e dytë.
Unë jam deputete e Partisë së Lirisë e zgjedhur me votë dhe nuk i njoh kufijtë administrativë të korrupsionit tuaj kur është fjala për të qenë zëdhënëse dhe mbrojtëse e interesit qytetar. Unë erdha e do të vij edhe në Kamëz, edhe në Bathore, edhe në Paskuqan, edhe në Valias e kudo, sa here të më thërrasin qytetarët se jam nënë dhe pedagoge, përveçse deputete.
Unë isha në Kamëz me kërkesën e prindërve të fëmijëve të asaj shkolle, sepse askush nuk i ka dëgjuar deri tani. Kanë bërë peticione, kanë kërkuar llogari dhe askush s’i ka dëgjuar.
Po bëj publik dhe peticionin, meqë nuk keni denjuar t’ua pranoni qytetarëve të bashkisë që drejtoni.