Ndryshon situata me holandezin Memphis Depay. Kur dukej një lojtar i Juventus dhe kur pritej për të firmosur, sulmuesi ka vënë kushte të reja. Depay sapo është liruar nga detyrimet me katalanasit ka vendosur të ndryshojë sjellje dhe ka rritur pretendimet ekonomike karshi bardhezinjve.
Diçka që ka stepur drejtuesit e italianëve, të cilët e vlerësojnë si një “tradhti” këtë lëvizje të holandezit dhe në këtë formë, tratativa është e “ngrirë”. Juventus, ashtu siç raporton edhe Di Marzio, po mendon të braktisë përfundimisht pistën Depay dhe të fokusohet te një objektiv i vjetër si Arkadiusz Milik.
Polaku ishte edhe në sezonin e kaluar nën shënjestrën e torinezëve, megjithatë këtë moment konkretizimi duket më i mundshëm se kurrë. Milik do të ishte i gatshëm të largohej nga Marseille dhe të rikthehej në Itali, edhe pse te Juventus do të merrte menjëherë statusin si zëvendësuesi i Dusan Vlahovic.