Shëndeti mendor paraqet një nga sfidat më të mëdha në shoqërinë amerikane.
Sipas një studimi të vitit 2021 të Institutit Kombëtar të Shëndetit Mendor, një në pesë amerikanë të rritur përballet me një çrregullim.
Në përgjithësi numri i personave me probleme të shëndetit mendor është rreth 57.8 milionë, ose rreth 22.8 për qind e amerikanëve të rritur.
Ky fenomen ka filluar të ndjehet edhe tek komuniteti shqiptaro-amerikan. Gjatë dy viteve të fundit vërehet rritje e numrit të vetëvrasjeve dhe vdekjeve si pasojë e mbidozës.
Kolegu Burim Goxhuli bisedoi me dy terapiste dhe një ndihmësprokuror në Miçigan, të cilët po ofrojnë konsultime dhe terapi falas për pjesëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan.
Terapistet shqiptaro-amerikane në Miçigan, Juliana Pepaj dhe Entela Kaba, thonë se qëllimi i nismës është krijimi i një hapësire të sigurt, pa gjykime dhe frikë, ku komuniteti shqiptaro-amerikan mund të diskutojë hapur për problemet e shëndetit mendor.
“Kur flasim për shëndetin mendor jemi jemi duke folur për personalitetin tuaj, për atë se kush jeni. Mënyra si menaxhoni stresin, merrni vendime dhe komunikoni me të tjerët varet nga shëndeti mendor.
Në komunitetin tonë ka shumë frikë se dukeni si jo normal, nëse flisni hapur rreth kësaj teme. Është koha që të themi mjaft është mjaft”, thotë zonja Pepaj në një intervistë për Zërin e Amerikës