Dyshimet për një aferë korruptive në Portin e Durrësit, apo rastet e bëra publike për aktorin Gazmend Paja, si dhe për bashkëshortin e ministres Olta Xhacka, kanë nxitur deputetët e PD-së që të ndërmarrin iniciativën për verifikimin e procedurave të investimeve strategjike.
Të 7 deputetët e Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, Dashnor Sula, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Lefter Gështenja, Arbi Agalliu dhe Ferdinand Xhaferraj, i kanë kërkuar Kuvendit ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për të bërë të mundur verifikimin e procedurave të dhënies së statusit të investitorit strategjik.
Sipas deputetëve edhe pse qëllimi i ligjit për investitorët strategjik ka qenë pozitiv, në praktikë ka rezultuar se ai është përdorur kryesisht si një mekanizëm për t’u dhënë favore dhe përfitime njerëzve me lidhje të forta personale apo familjare pranë qeverisë dhe drejtuesve të Partisë Socialiste.
Sakaq, lidhur me këto projekte dyshohet për korrupsion, favorizim, paligjshmëri, klientelizëm dhe arbitraritet, duke dhënë si shembull tre procedura:
1. për rastin e Portit të Durrësit;
2. rastin e anëtarit të Këshillit Bashkiak Tiranë (PS), z. Gazmend Paja, i cili ka përfituar 133 mijë m2 në Dhërmi;
3. rastin e bashkëshortit të ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe deputetes së PS-së, znj. Olta Xhacka, ish-deputeti socialist z. Artan Gaci, i cili ka përfituar të drejtën e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë.
“Me qëllim shqyrtimin e të gjitha praktikave të deritanishme të ndjekura nga Komiteti i Investimeve Strategjike, vlerësimin e mundësisë për hartimin e ndryshimeve ligjore në ligjin nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë” me qëllim parandalimin e të gjitha praktikave të paligjshme, abuzive apo korruptive, duke pasur parasysh edhe rëndësinë thelbësore që ka për ekonominë tonë rritja e përthithjes së investimeve vendase dhe të huaja, nëpërmjet procedurave të ligjshme, transparente dhe meritokratike, çmojmë të nevojshme ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për Investimet Strategjike”, shkruhet në kërkesë.