Deputeti i PD, Aldo Bumçi ka komentuar protestën e sotme të mbajtur para kryeministrisë.
Bumçi tha se pjesëmarrja ka qenë masive, pasi shoqëria shqiptare besoi te opozita.
Sakaq shtoi se, kjo pjesëmarrje jep shpresë se sot Shqipëria dhe opozita janë bashkë për të rrëzuar qeverinë.
“Bulevardi nuk të lejon të gënjesh. Kur Rama ka thirrur protestë, protestuesit nuk e kalonin urën e Lanës. Ai ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe i gjithë bashkive të mëdha rreth e qark, Elbasan, Durrës, etj. Me këto burime njerëzore, ai s’e kalonte dot urën e Lanës. Ne jemi të Galeria e Arteve, afër Ministrisë së Brendshme. Kjo është e rëndësishme, që shoqëria shqiptare besoi te opozita. Nuk është një protestë që mbyllet këtu. Protestat që janë mbajtur në 2019 filluan në shkurt dhe përfunduan me zgjedhjet lokale, pra ishte një periudhë kur ishin shkolla e universitete hapur.
Ndërsa sot kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria, por këtë pjesëmarrje e sjell vetëm Tirana. Kur pjesëmarrja është shumë e mirë, do të thotë që ka dalë gjithë Tirana, pasi ne nuk kemi mjete të transportit masiv. Nga rrethet ardhja ishte e madhe, por Tirana ka dalë masivisht. Po të marrim parasysh që studentët nuk ishin, për disa plazhi ka filluar, pjesëmarrja ishte shpresëdhënëse dhe sot Shqipëria dhe opozita janë bashkë, në një udhëtim që nuk ka përfunduar”, tha deputeti.