Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula ka reaguar lidhur me rritjen e çmimeve të apartamenteve në Shqipëri.
Përmes një reagimi në rrjete sociale, Sula shkruan se shndërrimi i Shqipërisë në një parajsë të pastrimit të parasë së drogës e korrupsionit është një tjetër faktor që qytetarëve të ndershëm ja bën të vështirë të blejnë një shtëpi, duke shtuar se kjo nuk ndodh në vende si Greqia, Italia, Gjermania e shumë vende të tjera te zhvilluara.
“Shtëpitë në Shqipëri më te shtrenjta se në Gjermani. Pasi ikën nga Shqipëria, me shumë gjasë shqiptaret do shesin edhe shtëpitë këtu sepse me shumën e parave mund të blejnë më tepër në secilin prej vendeve të Evropës. Njësia më e madhe globale e të dhënave, “Numbeo”, ka publikuar te dhënat më të fundit të çmimeve të apartamenteve duke bërë edhe një përllogaritje se sa kohë i duhet një familje për të blerë një shtëpi.
Sipas këtyre të dhënave shqiptareve i duhen kursimet e 16 viteve për të blerë një apartament. Vendi ynë renditet i treti, pas Rusisë dhe Serbisë. Sipas Numbeo, të matura sipas fuqisë blerëse, një apartament në Tiranë është më i shtrenjtë se Mynihu i Gjermanisë, Roma e Italisë, Londrës në Mbretërinë e Bashkuar etj. Çmimet në disa zona të kryeqytetit pësuan rritje të fortë, siç është zona e ish -Bllokut ku çmimet maksimale të apartamenteve arritën 3500 deri 5,000 euro për metër katror”, shkruan Sula.