Deputeti i PD Luan Baçi tha se vendin po e drejton një klikë e rrezikshme dhe se qeveria nuk mban përgjegjësi për asnjë nga skandalet e saj.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Baçi tha se Rama erdhi në Parlament pas një muaji që opozita e kërkonte praninë e tij, por se qëndroi vetëm 40 minuta dhe u largua pa shpjeguar asgjë. Më tej ai shtoi se ditën e sotme kryeministri Edi Rama duhet të mbante përgjegjësi dhe të jepte llogari edhe për vrasjet mizore të tre grave në Kamëz.
“Kjo do të mbahet mend si një teatër absurd, ku një mua të tërë me kërkesë të fortë të opozitës, kryeministri na vjen 40 minuta, na bën pak humor, sulmon opozitën, i nxjerrin të vdekurit nga varri sa herë ju duhet për të mbrojtur veten. Sot kryeministri duhet të mbante përgjegjësi dhe të jepte llogari edhe për vrasjet mizore të tre grave në Kamëz. Pasiguria ka zënë vend tani ndaj nuk i bëjnë më përshtypje dhe i kaloni me 1 minutë zi këtu në Parlament. Nuk e di kur do mbajë përgjegjësi kjo mazhorancë. Rritja çdo ditë e çmimeve dhe naftës, e ka shtrirë varfërinë tek të gjithë shqiptarët. Dështimi i sistemit të drejtësisë mban peng skandalin e inceneratorëve, që pas hekura gjenden ata që kanë marrë vetëm thërrime, ndërsa ata që duhej të ishin pas hekurave gëzojnë pasuritë e shqiptarëve.
Vendin po e drejton një klikë e rrezikshme. Dhe sa do ta durojmë këtë pushtet? Edi Rama vërteton frikën nga frika që ka nga mosngritja e Komisionit dhe mospranimin e debatit në sallë. Rama është në akuzë që ka tronditur thellë vlerat e sistemit demokratik. Është nën akuzë për korrupsion aktiv, edhe për asgjësimin e opozitës shqiptare. Rama është nën akuzë së po u mbyll gojën mediave. Ai nuk mund të jetë më në krye të vendit, anëtarë të NATO. Nesër na pret një tjetër kauzë e madhe. I pres të gjithë në shesh”, tha Baçi.