Deputeti i PS Arben Pëllumbi ka komentuar refuzimin për hapjen e negociatave nga BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pëllumbi deklaroi se pavarësisht se po ecim para, negociatat nuk janë hapur.
Po ashtu ligjvënësi i PS tha që vetoja bullgare nuk ka lidhje me vendin tonë, dhe nëse BE po e përdor bllokimin për hapjen e negociatave e negociatave nga Bullgaria, ai tha se nuk ka një përgjigje, pasi duhet të kishte më parë informacion.
Pëllumbi: Është një çështje që artikulohet prej vitesh pas çdo progres raporti. Prej disa kohësh ndahet ajo që bën Shqipëria nga ajo që bën BE. Nuk është se s’po ecim para sepse nuk po bëjmë atë që duhet. Edhe Zvicra nuk u bë me këllqet e veta. U ndihmua të bëhet. Për sa kohë rruga e Shqipërisë është e lidhur me atë të RMV, kujtoj se ishin ne dikur që e bllokonim Maqedoninë me Holandën që nuk na lejonte. Vetoja bullgare s’ka asnjë lidhje me Shqipërinë, ka vetëm me RMV. A po e përdor BE veton? Këtë duhet të kemi shumë informacion që ta themi. BE ka një frymë të deformuar për zgjerimin tha Rama. Në rast se vendet e BE apo ato kryesore siç u përpoqën shumë së fundmi të hiqnin veton bullgare, mund ti bënin përpjekjet edhe një muaj më parë. Ajo që ka rëndësi është a po e sheh BE zgjerimin si vizion të përbashkët? A do vijojë të funksionojë veto kur vetëm një vend mban pezull të tjerët? Këto janë çështje të brendshme të BE.