Deputeti demokrat, Bledion Nallbati, përmes një deklarate nga Kryesia e Kuvendit ka deklaruar se në Bashkinë Devoll janë bërë punësime fiktive. Ai ka shfaqur edhe një video, nga emsioni investigativ ‘Stop’ në të cilën tregoheshin përgjime që faktonin akuzat e tij. Sipas Nallbatit kryetari i Bashkisë Devoll paguan persona që nuk kryejnë punë në bashki, por punojnë privatisht gjatë orarit zyrtar.
“Bashkia e Devollit, është shembulli tipik se si shpërdorohen taksat e qytetarëve. Sesi fryhet administrata me individë që nuk kryejnë punën për të cilën paguhen. Emisioni investigativ STOP ka publikuar dje një listë të gjatë me emra, që ndonëse paguhen me rrogë në bashki, gjatë orarit të punës bëjnë çdo punë private përveçse atë të shtetit.
Që nga shoferi i kryetarit të bashkisë e deri tek punonjësit e qëndres kulturore, punonjës shërbimesh, në orarin e punës janë duke kryer lloj-lloj punësh private përveç atyre të shtetit për të cilën paguhen njësoj si ata qe shkojnë e çdo ditë në pune. Kjo u provua me zë dhe figurë nga gazetarët të cilët në orarin e punës prenotuan punonjësit e shtetit për shërbime private. Por ajo që e bën edhe më skandaloze situatën është vetë kryetari i emëruar i bashkisë, Eduart Duro, i cili pa iu dridhur qerpiku e pranon fenomenin, madje e mbron në mënyrë qesharake”, tha ai.
Deputeti demokrati i qarkut Korçë i bëri thirrje organeve kompetente që “në mënyre urgjente të nisin hetimet për këtë rast flagrant”.