Deputetja e PD, Flutura Açka së bashku me deputetë të KIEKSH-së së drejtuar nga zj. Jorida Tabaku kanë vizituar Parlamentin e Kosovës në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar vetë deputetja në një postim në rrjete sociale. Açka shkruan se përpos çështjeve të tjera të të gjithë sektorëve të jetës në Kosovë, shqetësimi kryesor i klasës politike dhe vetë opozitës në Kosovë mbetet dialogu Kosovë-Serbi dhe maturia që duhet treguar prej përgjegjësisë së lartë të momentit.
“Në Prishtinë, për takime dhe Pavarësinë. Në cilësinë e anëtares së Komisionit të Integrimit Europian të Kuvendit të Shqipërisë, bashkë me kolegë të tjerë deputetë të KIEKSH-së së drejtuar nga zj. Jorida Tabaku, bëmë një vizitë zyrtare në Parlamentin e Kosovës në Prishtinë në datat 13-14 shkurt.
Vizitat nisën me një bisedë në selinë e Lidhjen Demokratike të Kosovë dhe kolegë të ekipit të drejtuar nga z. Lumir Abdixhiku. Përpos çështjeve të tjera të të gjithë sektorëve të jetës në Kosovë, shqetësimi kryesor i klasës politike dhe vetë opozitës në Kosovë mbetet dialogu Kosovë-Serbi dhe maturia që duhet treguar prej përgjegjësisë së lartë të momentit.
Kosova këto ditë ka ditët e saj të kujtesës, ndaj në respekt të kontributeve të papërsëritshme të figura të saj të mëdha dhe kontributorëve të Pavarësisë sē saj, bashkë me kolegët ndalëm për të nderuar Presidentin Ibrahim Rugova dhe në memorialin e ngritur për nder të Adem Demaçit dhe heronjve të tjerë të luftës për çlirim. 15 vjet Pavarësi e Kosovës”, shkruan Açka.