Deputetja ekuadoriane, Viviana Veloz ka denoncuar se ajo dhe këshilltari i saj janë kërcënuar për vdekje nga mafia shqiptare. Sipas mediave të huaja, deputetja ka thënë se qëllimi i këtij kërcënimi ka qenë për të ndaluar hetimet, për korrupsionin e dyshuar në qeveri dhe parandalimin e raportimit të policisë për lidhjet e dyshuara mes trafikut të drogës dhe mafies shqiptare.
Këtë situatë Veloz e bëri të ditur mëngjesin e së hënës, 20 shkurt, gjatë një seance virtuale të komisionit që heton këtë rast. Deputetja tregoi një fotografi në celularin e saj dhe tha se të dielën i kanë lënë një shënim në automjetin e këshilltarit të saj, Christian González, me flamurin shqiptar dhe një fjalë shqip, që përkthyer në spanjisht do të thotë “i vdekur”. ”
Veloz raportoi se mori edhe mesazhe frikësuese në llogarinë e saj në Instagram. “Kërcënime me vdekje dhe se ata do të bëjnë një tentativë për jetën e prindërve të mi dhe të familjes sime nëse nuk ndaloj hetimin e çështjes Encuentro dhe hetimin e raportit të madh. Madje, brenda atij mesazhi më kanë dërguar edhe udhëzimet që sipas tyre duhet të ndjek” – ka treguar ajo.