Vasfije Krasniqi-Goodman ka dhënë dorëheqje nga posti i deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Përmes një postimi në rrjete sociale ditën e sotme, ajo njoftoi se është duke marrë një trajtim mjekësor, gjë që sipas saj, nuk i lejon që të vazhdojë më kryerjen e detyrave si deputete. Ajo ka shtuar se do të vazhdojë angazhimin e saj publik për Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç tha, në veçanti në Kongresin Amerikan.
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës. Duke qenë se jam në një trajtim mjekësor dhe si rezultat në këtë fazë të trajtimit më duhet që për çdo muaj të kem vizita të rregullta dhe përderisa i njëjti mund të zgjas, mua më vështirësohet, përkatësisht pamundësohet tani dhe ndoshta edhe në të ardhmen realizimi i obligimeve të mija si deputete. Edhe përkundër dëshirës sime që unë të vazhdoj me përfaqësimin e juaj në Kuvend, më duhet të ju njoftoj se unë kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e deputetes. Rrjedhimisht për këtë dorëheqje sapo kam njoftuar edhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konnjufca, si dhe Kryesinë e Kuvendit.
Si rezultat i këtij angazhimi besoj që së shpejti do të shihen të arriturat e para. Kam besimin e plotë që së bashku me miq, njerëz të vullnetit të mirë, punëtorë e vizionarë, kauza e fitores së drejtësisë në Kosovë do të triumfojë”, ka shkruar Krasniqi-Goodman.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 14 shkurt 2021, Vasfije Krasniqi-Goodman, garoi për herë të parë për pozitën e deputetes në Kuvendin e Kosovës.