Derbi mes Partizanit dhe Tiranës është ndeshja më e rëndësishme e futbollit shqiptar, por kjo duket se nuk e pengon klubin e kuq për ta luajtur në stadiumin e vet 4 mijë vendësh këtë sfidë dhe jo në “Air Albania” ku mund të vijnë rreth 15 mijë tifozë.
Partizani ka gjetur dakordësinë me policinë, që ka garantuar sigurinë e mbarëvajtjes së kësaj ndeshjeje, teksa FSHF-ja dhe Tirana nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër, veçse të respektojnë vendimin e “demave”. Sipas llogarive, të kuqtë do të fitonin rreth 50 milionë lekë në rast se ndeshja luhet në stadiumin e ri.
Gjithsesi, vendimi përfundimtar do të merret vetëm të hënën e ardhshme. Mbetet të shihet nëse derbi do të zhvillohet si zakonisht në “Air Albania” apo do të spostohet në verilindje të kryeqytetit. Tirana në stadiumin e të kuqve do të kishte vetëm 200 bileta në dispozicion.