Numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë jugore herët të hënën mund të arrijë deri në 10,000 persona, tha Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS), shkruan CNN.
Sipas vlerësimeve të saj, USGS tha se ka 47% mundësi që numri i viktimave të arrijë midis 1,000 dhe 10,000 njerëz dhe 20% mundësi që të arrijë midis 10,000 dhe 100,000.
Vlerësimet e USGS-së vijnë nga modelimi i bazuar në tërmetet historike në rajon, popullsia e ekspozuar ndaj lëkundjeve më të rënda dhe cenueshmëria e strukturave në zonat më të goditura.
“Pritet të rritet numri i viktimave dhe dëmeve,” tha USGS në raport.
Raporti vlerëson gjithashtu se humbjet ekonomike do të jenë midis 1 miliard dollarë deri në 10 miliardë dollarë, të cilat mund të arrijnë deri në 2% të PBB-së së Turqisë.
Deri më tani, më shumë se 500 njerëz janë konfirmuar të vdekur dhe më shumë se 3,000 të tjerë të plagosur në Turqi dhe Siri, sipas zyrtarëve dhe mediave shtetërore.