Prej muajsh kampet e filtrimit janë cilësuar nga ukrainasit si një nga mënyrat e përdorura nga rusët për të larguar civilët nga zonat e pushtuara.
Aljazeera raporton se në këto kampe përdoren dhuna e tortura për të marrë në pyetje civilët, duke publikuar edhe dëshmi të personave të cilët kanë vuajtur atje.
Dëshmia e një inxhinieri i cili sapo ishte diplomuar është kapur nga forcat ruse ndërsa po vizitonte Mariupolin e më pas kaloi nëpërmjet këtyre kampeve, tregon se si trajtohen ukrainasit atje.
Moska ka thënë se i mbron ukrainasit duke u ofruar atyre strehim, por Kievi pretendon se ato që Kremlini i quan evakuime janë në të vërtetë deportime të detyruara të kryera me motive të dyshimta.
Ndërkohë, Uashingtoni pretendon se kampet e “filtrimit” janë krijuar për të veçuar ukrainasit që konsiderohen si kërcënime për ofensivën e Rusisë.
Ndërkohë inxhinieri 25-vjeçar ka treguar që kurrë nuk arriti të jetonte në banesën e tij që sapo e kishte blerë, pasi është shkatërruar nga granatimet ruse, ndërsa tani është duke kërkuar strehim në Luksemburg. Ai tregon se ende zgjohet i trembur e i djersitur, nga tmerret e traumat që ka pësuar gjatë qendrimit në këto kampe.
Ai tregon se për rreth një muaj u përball me kërcënime me vdekje dhe seanca pyetjeje të pamëshirshme nga zyrtarë të mbështetur nga Moska në kampet në qytetet Staryi Krym, Dokuchaevsk, Taganrog dhe Novoazovsk, të cilat janë afër kufirit ruso-ukrainas.
Ai tha se autoritetet ruse e tallnin shpesh dhe se ai u bë dëshmitarë i të burgosurve që u rrahën, torturuan dhe u lanë pa ndjenja.
Në kampin e parë, në Staryi Krym, 25-vjeçari tha se u mbajt për një ditë në një ndërtesë me xhama të thyer.
“Ishte shumë ftohtë, unë flija në një karrige. Nuk na u dha as ujë, as ushqim e as informacione mbi atë që po ndodhte apo për të afërmit tanë. Më duhet të dëgjoja deklarata që vinin nga mendjet e tyre të sëmura. Isha në depresion që nuk mund t’u përgjigjesha sepse kjo mund të përfundonte keq për mua dhe familjen time. Ata më detyruan të shkoja në një bodrum dhe t’u jepja çdo informacion për të cilin ishin të interesuar. Kur ndeshën në një foto me flamurin ukrainas në telefonin tim, ushtarët rusë më pyetën nëse isha patriot”, tha ai.
Ata e akuzuan atë si “Banderit”, një term nënçmues që i referohet Stepan Bandera, liderit nacionalist ukrainas dhe bashkëpunëtorit të nazistëve.
Por i riu tha se e ndjen veten me fat që arriti të shpëtonte dhe që nuk u konsiderua kërcënim nga autoritetet ruse.
Në momentin që mbërriti në një kamp në kufirin me Estoninë, ai dhe të njohurit e tij po bënin një plan për tu arratisur.
Një ditë, pak para se të lindte dielli, ata u larguan nga kampi. Pas dy javësh udhëtim, ai kaloi një qytet kufitar rus.
“Nuk e dija se ku po shkoja. Atje bëra dushin e parë në dy javë. Ndenja nën ujin e ngrohtë për rreth një urë, Ishte një ndjesi shumë e mirë”, tha ai.
Pas një udhëtimi të gjatë fillimisht në këmbë dhe më pas me autobusë, më në fund ai mbërriti në Luksemburg.
Më shumë se një milion ukrainas, duke përfshirë të moshuar dhe të paktën 240,000 fëmijë, thuhet se janë dërguar në Rusi që nga fillimi i luftës, sipas Kombeve të Bashkuara dhe grupeve të të drejtave të njeriut.
Shifrat reale mendohet të jenë shumë më të larta.
“Ne dimë gjithashtu për rrëmbime të shumta të qytetarëve ukrainas dhe mbajtjen e tyre në burgjet ruse për një kohë të pacaktuar,” tha Mykhailo Savva, i cili dokumenton ato që ai i quan rrëmbime të detyruara në Qendrën për Liritë Civile të Ukrainës.
Rusia ka mohuar akuzat se ka abuzuar me njerëzit në këto vende.