Dëshmitari implikon Ilir Metën/ Gazeta austriake: Provat mund të tronditin peizazhin politik dhe të rrëzojnë presidentin e Shqipërisë

Gazeta më e madhe në Austri, “Kronen Zeitung” i ka kushtuar një artikull Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Artikulli nis me dëshminë e një personi të cilin gazeta nuk e identifikon, por e përshkruan si një ish-person afër Metës, që aktualisht është fshehur në Vjenë, ku ka kërkuar mbrojtje.
Artikulli flet për financimin e një lobimi nga ana e Metës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ngre pikëpyetje për një vizitë të Metës në Uashington, veçanërisht për burimin e parave.

Artikulli përmend edhe shumat e mëdha të paguara për disa ndërhyrje kirurgjikale estetike që ka bërë bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi.

Më poshtë  pjesë nga artikulli i  “Kronen Zeitung”:

Dëshmitari kërkon mbrojtje në Vjenë: Thriller për Presidentin e Shqipërisë

Një dëshmitar i cili u fsheh në Austri për shkak të kërcënimeve me vdekje rëndon kreun e shtetit të Shqipërisë. Në akuza përfshihet edhe ceremonia e inaugurimit të Donald Trump.

Lotët i rrjedhin nëpër faqe, duart i dridhen, zëri i dridhet. Frika e tij është e dukshme, gjatë një takimi me “Krone” në një vend sekret. Ai erdhi në Austri për shkak të frikës së një atentati. Ajo që ai tregon zbuluesi në prani të disa avokatëve të njohur vjenezë, të bën të ndalesh dhe të mendosh. Provat që ai ka mund të tronditin peizazhin politik të Shqipërisë.

Presidenti Ilir Meta (53 vjeç) ka mbajtur jo pak poste në karrierën e tij. Ai themeloi partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilën e drejtoi deri në vitin 2017. Ka qenë kryetar i Parlamentit për disa vite dhe është President i Republikës që nga viti 2017.

Përgjatë viteve qarkulluan flukse parash, burimin e të cilave dëshmitari e përshkruan nga veprime “thellësisht të korruptuara”.

Më 20 janar 2017, Meta ndau një foto të tij dhe një kolegeje partiake në inaugurimin e Donald Trump. Për të fituar akses në inaugurimin dhe zyrtarët republikanë, ata lobuan me zell përmes një kompanie guaskë qipriote. Kostoja: 700,000 dollarë.

Deri më sot, është e paqartë se kush e ka paguar këtë shumë. Vetë Meta pretendon se është ftuar nga republikanët. Por sipas disa dokumenteve hetimore amerikane, 700,000 dollarët kaluan nga një jurist i afërt me Metën përmes kompanisë offshore “Dorelita Limited”.

Pak javë para inaugurimit u lidh një kontratë mes palës LSI dhe kompanisë, e cila parashikonte pjesëmarrjen në inaugurim. Pas kësaj, Meta u bë edhe president.

Shqipëria kufizohet me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Greqinë.

Vendi ka rreth 2.9 milionë banorë. Shqipëria është anëtare e OKB-së, NATO-s dhe që nga viti 2014 edhe kandidate për anëtarësim në BE.

Vitet e fundit është bërë përparim në aspektin ekonomik dhe social. Megjithatë, Shqipëria konsiderohet ende një nga vendet më të korruptuara dhe më të varfra në Evropë…”

*Gazeta “Kronen Zeitung” është një prej mediave më të ndjekura në Austri*

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *