Klevis Alla, i penduari i drejtësisë që bëri të mundur zbardhjen e vrasjes së dy vëllezërve, Viktor dhe Besmir Haxhia nuk ka pranuar të dëshmojë sot në Gjykatë.
Në nisje të seancës në GJKKO, Alla është shprehur se është i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë, por që sot e ka të pamundur. Ai ka thënë se është sëmurë me grip.
“I kërkoj gjykatës ta shtyjë këtë senacë për shkak se jam sëmurë më grip. Kam disa ditë që nuk ndihem mirë dhe kam ethe si pasojë e ndërrimit të stinës. Nëse është e mundur ta shtyjmë. Unë deklaroj se kam vullnetin të bashkëpunoj me drejtësinë, por sot e kam të pamundur,”– ka thënë Alla.
Gjykata vendosi shtyrjen e seancës për në datën 9 Maj, ora 09:00. Klevis Alla ra në pranga dhe pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë duke treguar se ku ishin fshehur armët që u përdorën në vrasjen e vëllezërve Haxhia dhe të Dorjan Shkozës e Anxhelo Avdias, ngjarje të ndodhura njëra pas tjetër në vitin 2020, në Durrës. Alla ka rrëfyer se ka qenë shofer në vrasjen e vëllezërve Haxhia, ndërsa për ekzekutimin e dy të tjerëve ka marrë informacione nga grupi.