Dëshmitë e rralla/ “Ja shkulën me pinca dhëmbët e floririt, nënën e shtrinë për tokë…!” Historia e tragjike e tiransit

Memorie.al publikon kujtimet e ish-të burgosurit dhe internuarit politik, Ylli Tabaku, me origjinë nga Tirana, pinjoll i një prej familjeve të pasura të kryeqytetit, ku babai i tij, Ramazan Tabaku, pasi kishte dhënë ndihma dhe shuma të mëdha financiare, për çetën e Pezës, gjatë periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare, pas mbarimit të Luftës, për kontributin e dhënë, u emërua si Kryetar i Entit të Grumbullimeve dhe në 1947-ën, u dënua me burg të përjetshëm, në gjyqin e “Grupit të Deputetëve”, gjë e cila kishte ardhur, pas një debati që ai kishte bërë me Enver Hoxhën, te Hotel “Dajti”, ku i kishte kërkuar atij të mos sekuestronte pasuritë e atyre, që kishin ndihmuar Luftën. Kalvari i gjatë i Ramazan Tabakut, në burgjet komuniste dhe persekutimi i egër i të gjithë familjes së tij, ku duke filluar nga bashkëshortja dhe pothuaj të gjithë djemtë e vajzat e asaj familje, që përfunduan burgjeve e kampeve të internimit. Deri në shembjen e atij regjimi, ku mundën të arratiseshin nga Shqipëria. Të gjitha këto përshkruhen në kujtimet e Ylli Tabakut, (të publikuara në librin e tij “Arratisja”, botim i Institutit për Studimin e Pasojat e Krimeve të Komunizmit, me parathënie të studiuesit dhe historianit Kastriot Dervishi), i cili vuajti plot 26 vjet, e 8 muaj e 24 ditë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më pas jetoi në Gjermani, deri në vitin 2021, që u nda papritur nga jeta, pa e parë të botuar librin e tij!

Ylli Tabaku është një prej të dënuarve politik, që la kujtimet e tij. Nuk pati fatin të shihte botimin e librit, sepse u nda nga jeta, në mënyrë të pa pritur, në Nussloch, të Gjermanisë, më 25.3.2021. Megjithëse, pozitiv është fakti se, Ylli nuk la pa shkruar periudhën më të keqe të jetës së tij, tre dënimet që i kushtuan plot 26 vjet, 8 muaj dhe 24 ditë, heqje lirie. Shto këtu faktin se ka qenë i sëmurë me diabet, ai bëhet edhe një rast akoma më i çuditshëm, që tregon se sa mizore ishte diktatura komuniste, përballë atyre që i cilësonte “armiq të popullit”.

Ylli u lind më 24.8.1942, në Durrës. Babai i tij u dënua me ‘Grupin e Deputetëve’. Në vitin 1951, familja e tij erdhi në Tiranë dhe në vitin 1956, internohet në Savër (sepse i’u arratis motra). Përveç babait, kishte edhe dy vëllezër, të dënuar për çështje politike. Ylli u dënua tre herë. Një herë u ri dënua brenda, kur vuante dënimin e parë, sepse tentoi të arratisej. Vuajti dënimin e parë, në vitet 1960-1979, duke bërë plot 18 vjet, 1 muaj, 17 ditë burgim. Pas daljes nga burgimi i parë, banoi në Baldushk. Nuk ishte e thënë ta linin të qetë. U dënua sërish dhe e vuajti në vitet 1980-1989, duke bërë 8 vjet, 7 muaj, e 7 ditë. Hyri në burg në moshën 18 vjeçare dhe doli që andej 47 vjeç. Regjimi i mori jetën më të bukur, rininë. Ylli emigroi në Gjermani, me eksodin e 2 korrikut 1990 dhe jetoi në këtë shtet, deri sa ndërroi jetë.

Kastriot Dervishi

                         “JETA IME PARA INTERNIMIT DHE BURGIMIT”

“Rrno për me tregue”, ashtu si Padër Zef Pllumbi, ka thënë mendova dhe unë, të tregoj kalvarin e vuajtjeve të familjes time.

U linda më 24 gusht të vitit 1942, nga një familje tregtarësh, në Durrës. Babai im, Ramazan Tabaku, kishte edhe një vëlla, Hamid Tabaku, i cili ishte 15 vjet më i ri se ai. Babai im, ndërsa vijonte gjimnazin, njëkohësisht ndihmonte edhe gjyshin në punët e dyqanit. E ndoqi edhe pasi mbaroi gjimnazin, ndërsa xhaxhai ndoqi shkollën Teknike, të Harry Fultz-it dhe doli një Inxhinier Mekanik i shkëlqyer. Them inxhinier, pasi ai i drejtonte të gjithë inxhinierët, që mbaronin shkollat në vendet e Lindjes Komuniste.

Në vitin 1947, babanë tim, e arrestuan dhe e dënuan me Grupin e Deputetëve. Ky “grup”, të cilin e krijoi Sigurimi i Shtetit, si të tillë, përbëhej nga 24 persona. Në të bënin pjesë edhe 6 deputetë, që “kryesohej” nga Shefqet Beja, i cili ishte edhe djali i dajës së babait tim. Ai ishte një burrë shumë inteligjent, kishte mbaruar studimet e larta në Francë. Edhe të tjerët ishin intelektualë, vetëm babai im ishte me shkollë të mesme.

Gjyqi i tyre u zhvillua në një nga kinematë e qytetit me altoparlant, që ta dëgjonin të gjithë. Kur i’u dha fjala dhe u ngrit për të folur, Shefqeti, nuk e hapi gojën fare, por vetëm tregoi plagët që i ishin krijuar, nga torturat e tmerrshme dhe çnjerëzore, që kishin përdorur mbi të Sigurimi famëkeq.

U dënuan 16 vetë me vdekje. Shefqet Beja, Riza Alizoti dhe Sulo Klosi u dënuan me varje në litar. Babai u dënua me burgim të përjetshëm dhe me konfiskim të pasurisë.

Një ditë, në mëngjes herët, unë sapo i kisha mbushur 5 vjeç, e shikoj veten në dysheme dhe i rrethuar nga disa çizme, – thashë se, mos jam duke parë ëndërr, – por, një zë, që m’u duk sikur doli nga një grykë ferri, më solli në vete.

Ai tha:- Aty e ke vendin ti këlysh reaksionari, në çimento, krevati është i yni, – vijoi. Ata filluan të merrnin çfarë u zinte dora; pjata, lugë, gota e thika, dyshekë, çarçafë e jorganë, krevate, rafte e komo, pra një bastisje deri edhe ndërresat. Ata hapën edhe një sapet të madh, – se kështu i thonim ne, – nga i cili nxorën lloj –lloj ndërresash, burrash dhe grash dhe llogaritën, të na linin vetëm nga një palë ndërresa.

Sikurse e përmenda, në këtë kohë unë isha i vogël. Së bashku me vëllanë, që ishte dy vjet më i madh se unë, dolëm në ballkon dhe shikonim vargun e kamionëve, që ngarkoheshin tek magazinat tona. Kjo zgjati gjithë ditën, derisa i bastisën fare magazinat. Tek dera kryesore e shtëpisë, mbërthyen një pllakë llamarinë, ku shkruhej: “Pasuri Shtetërore”. Me një fjalë, na morën gjithçka kishim.

Në vitin 1949, do të ndërtohej Porti i Durrësit, aktualisht, tani është diga e madhe, që rrethon gjithë portin, të cilën e quanim “tek gurët”.

Ata morën gjithë fëmijët e ‘reaksionarëve’ – se kështu na quanin ne në atë kohë, – nga mosha 14 vjeç e lart dhe na dërguan atje, si të dënuar me punë të detyrueshme. Me këtë punë rraskapitëse, u dënuan edhe dy nga motrat e mia, Dhurata 14 vjeç dhe Nevrezja 17 vjeç, ndërsa motra e madhe, kishte mbaruar Ekonomikun dhe punonte në administratë, kështu që i pati shpëtuar kësaj torture. Drita, më e vogla nga motrat, ishte vetëm 10 vjeç në atë kohë, ndërsa ne të tre djemtë, ishim të vegjël.

I dashur lexues, do të thuash se si ka mundësi, që një vajzë reaksionari të punonte në administratë, në atë situatë lufte të tmerrshme klasash, që zhvillonte partia?! Në atë kohë, shumica e tyre ishin analfabet dhe nuk kishin kuadro. Për kohën që flas unë, me katër klasë fillore, bëheshe drejtor.

Në fillim edhe oficerët e Ushtrisë nuk i hoqën, i lanë në punën e tyre, derisa nxorën kuadrot e vetë dhe pastaj, të gjithë këta nëpunës dhe oficerë, i rrasën nëpër burgje, me akuzat më monstruozë, me dënime të ndryshme; shumicën edhe me pushkatim. Më vonë, me motrën tonë ndodhi që nuk punoi më në administratë, por si punëtore ndërtimi.

Këta të rinj që punonin “tek gurët”, në kohën e drekës mblidheshin grupe-grupe, për të ngrënë diçka të vogël, që kishin marrë nga shtëpia. Shpesh aty afroheshin dhe dy marinarë, djem të rinjë dhe zhvillonin biseda të ndryshme. Një ditë ata i thonë motrave të mia, se kishin ndërmend të arratiseshin dhe i pyesin nëse dëshironin të shkonin edhe ato. Sigurisht që për moshën që kishin ato, në asnjë mënyrë, nuk mund të largoheshin nga shtëpia dhe u janë përgjigjur negativisht. Mbas disa ditësh, u dëgjua se një peshkarexhë, me një grup marinarësh, ishte kapur në ujërat neutrale, në tentativë arratisje për në Itali.

Mbas një jave erdhën dhe arrestuan dy motrat e mia, të cilat mbasi i torturuan në mënyrë më çnjerëzore, (që vetëm ata dinin të bënin), sepse donin të dinin, nëse kishte dhe ndonjë tjetër, që kishte dijeni. Përfundimisht, për mos denoncimin. Nevrezen, e dënuan me një vit burg, ndërsa me Dhuratën, u mjaftuan me tre muajt e hetuesisë, mbasi ishte vetëm 14 vjeç. Të tjerët u dënuan, të dy me pushkatim dhe i vranë.

Atë ditë do të kishin ikur, por një marinar, i cili i tradhtoi, i futi ujë motorit dhe ata u bllokuan në mes të detit. Aty, si rastësisht, kaloi patrulla kufitare dhe i arrestoi.

Siç e kam thënë në fillim, unë kisha edhe një xhaxha, Hamid Tabaku, i cili nuk i shpëtoi dot luftës së klasave. E futën në burg dhe e dënuan duke e akuzuar se kishte qëndruar indiferent gjatë Luftës dhe ishte treguar asnjanës. Pasi bëri disa vite burg, e liruan, sepse kishin më shumë leverdi të shfrytëzonin njohuritë e tij inxhinierike, se sa ta mbanin në burg.

Ai ishte një inxhinier shumë i zoti dhe mori pjesë në krijimin e gjithë hidrocentraleve dhe veprat industriale, që u ndërtuan në Shqipëri. Aq shumë i përkushtuar ishte në profesionin e tij, saqë një ditë, një ministër i Industrisë i asaj kohe, i kishte thënë:- Po të mos kishe qenë në burg, tre herë do të ishe shpallur “Hero i Punës Socialiste”!

Kur motrat u arrestuan, xhaxhai mori familjen e tij dhe shkoi në Tiranë, ku gjeti strehim, tek njerëzit e gruas së tij. Vërtet ne u ndamë fizikisht, por asnjëherë shpirtërisht, megjithëse ato detyroheshin të mbanin një farë distance, për arsye që dihen, pra ne ishim të lidhur. Xhaxhai më jepte fshehurazi, çdo muaj një pako me paketa “Partizan”-i dhe më thoshte: “Çoja babës, po kujdes mos të dëgjojë njeri, kur t’i thuash se ja kam dërguar unë”.

Ai kishte tre djem: Bashkimin, Besnikun dhe Ilirin. Bashkimi mbaroi shkollën Mekanike dhe punoi si shofer autobusi, për një kohë të gjatë pati punuar edhe si taksist. Bashkimi ishte njeri shumë i sjellshëm dhe i dashur me të gjithë. Ndërsa Besniku ishte djalë shumë studioz dhe inteligjent, ai ishte nxënës i ekselencës, arriti të regjistrohet dhe filloi studimet universitare.

Por. Një ditë të tmerrshme për të, i’u pre ëndrra në mes, pasi atë e thirri dekani dhe i tha: “Ne jemi pushteti i Diktaturës së Proletariatit dhe zhvillojmë luftën e klasave, ti ke pasur babanë në burg dhe vjen nga një familje e deklasuar, kështu që nuk meriton të edukohesh në shkollat tona, qysh nga ky moment duhet të largohesh që këtu”.

Ndërsa Iliri, mbaroi një shkollë Industriale dhe në më të shumtën e kohës punoi si saldator, por ama ishte një mjeshtër i vërtetë. Që të tre ishin djem shumë të sjellshëm dhe i respektonte e gjithë lagja. Po në këtë vit, më ’50-ën arrestojnë nënën time. Sigurimi i Shtetit kishte vënë re, që ne ishim shtatë fëmijë, më e madhja ishte motra 18 vjeçe dhe më i vogli, isha unë 8 vjeç.

Pyetja e tyre ishte se: ku i gjenim të ardhurat dhe me se jetonim?! Atëherë dyshuan, se ne, duhet të kishim flori, ndryshe do të vdisnim nga uria. Duke u nisur nga ky fakt, morën mamanë dhe mbasi e torturuan gjashtë muaj në hetuesi, arritën të marrin një pjesë të florinjve. Mamaja i kishte fshehur ato në dy vende të ndryshme.

 

Në vitin 1951, qeveria nxori një ligj, që të gjithë qytetarët, duhet të ktheheshin nga vendet që kishin origjinën. Meqenëse ne, ishim me origjinë nga Tirana, duhet të ktheheshim përsëri në Tiranë. Ne, ishim të rregullt në pagimin e qerasë në shtëpinë tonë, megjithatë na urdhëruan të shkonim në Tiranë, sepse andej e kishim origjinën. Me ato pak plaçka që na kishin mbetur, na strehoi një nga dajat tona, duke liruar një dhomë në bodrumin e shtëpisë së tij.

Tre motrat e mëdha dhe mamaja, punonin në ndërtim, ndërsa ne, katër të tjerët, ishim në shkollë. Megjithëse punonim katër vetë, rrogat ishin aq të vogla, sa nuk mjaftonin për të ushqyer nëntë vetë, plus që ne fëmijët, kishim nevojë për të blerë edhe materiale shkollore. Kështu që nëna ime e dashur, që e doja aq shumë, ka sakrifikuar shumë, (më ka mësuar të flasë, fjalë pas fjale, më ka mësuar të eci, duke më mbajtur për dore hap pas hapi edhe kur qaja dhe puthja e saj e dashur, më bënte të lumtur), për të plotësuar nevojat tona, detyrohej të thyente ndonjë flori.

Në një nga këto momente, ajo u pikas. Sigurisht që ishte nën vëzhgim, prandaj e arrestuan. Në këtë kohë, unë isha në shkollë. Në detyrat e shtëpisë, mësuesja më kishte vënë notë të mire dhe unë, nuk e kisha futur në çantë fletoren, por e mbajta në duar, t’ja tregoja momës, se ajo gëzohej shumë, kur vlerësohesha. Kur futem në shtëpi, shikoj se të gjithë rrinin të heshtur dhe pothuaj nuk flisnin fare, atëherë pyeta: Ku është moma? Ka shkuar tek tezja, – m’u përgjigj dikush.

Këtë herë torturat ishin akoma dhe më çnjerëzore! Moma kishte disa dhëmbë të veshur me flori. Ata i’a shkulën të gjitha, me pinca dhe e futën në elektroshok, e shtrinin në tokë dhe e tërhiqnin nga flokët vërdallë qelisë, derisa lëkura e kokës i zuri dy gishta qelb. Këto tortura i’a bënin pothuajse përditë, siç na ka treguar.

Tortura më e tmerrshme nga e cila moma u dorëzua përfundimisht, ishte kur i veshën një palë dimitë, (çitjane i thonë nga Jugu) dhe brenda i futën një maçok, e mbasi ja lidhën mirë ushkurin, ai hetuesi i tmerrshëm, filloi ta godasë me një thupër. Imagjino se, çfarë gërricje e çfarë kafshimesh, pësonin këmbët e momës time të mjerë. Me kaq çdo gjë mori fund, moma u dorëzua dhe i dha, ato pak flori që i kishin mbetur. Ato nuk ishin kushedi se çfarë, ishin pak para, që mban çdo familje për përdorim të përditshëm, pasi florinjtë e dyqanit, ata i kishin marrë me kohë, me gjithë kasafortë. Memorie.al

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *