“Dëshmor i Atdheut”, çfarë parashikon ligji për familjarët e Arjan Salës

32-vjeçari Arjan Sala është shpallur sot “Dëshmor i Atdheut”. Vendimi është firmosur nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Kryeministri Edi Rama shkoi këtë të hënë në familjen e Arjan Salës, rojes së sigurisë i cili humbi jetën nga zjarri i rënë të mërkurën e shkuar, në magazinën e një qendre tregtare në kryeqytet.

Ai i ka dorëzuar familjes së 32-vjeçarit titullin “Dëshmor i Atdheut”, i cili u firmos më herët nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Rama tha se Arjani ka bërë një heroizëm të madh dhe të rrallë në këto kohë, teksa siguroi për mbështetje për familjen e tij të vogël dhe fëmijën.

“Ka shpëtuar shumë njerëz, fatkeqësisht me çmimin e jetës së tij, por ka bërë vërtetë një heroizëm të madh dhe shumë të rrallë në këto kohë. Natyrisht që jeta është pa çmim dhe nuk kthehet, por sidoqoftë është detyra jonë ta nderojmë dhe ta vlerësojmë dhe vendosëm ta shpallim ‘Dëshmor të Atdheut’.

Do ta mbështesim me sa kemi mundësi familjen e tij të vogël dhe fëmijën. Një shumë të vogël për familjen, këto të gjitha më shumë në shenjë respekti se sa bëjnë ndonjë ndryshim”, deklaroi Rama.

Arjan Sala u gjet pas 3 ditësh nga rënia e zjarrit, ku dyshohet se u shkaktua nga një masë në kabullin e neonëve. Sala la pas bashkëshorten dhe një fëmijë të vogël.

Por çfarë parashikon ligji për familjarët e “Dëshmorit të Atdheut”?

1. Familjet e dëshmorëve të atdheut gëzojnë nderim e përkrahje të veçantë nga shteti. Ato përfitojnë shpërblim financiar mujor, kriteret dhe masa e të cilit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes.

2. Në rrethin e familjarëve, për efekt shpërblimi, bëjnë pjesë bashkëshorti/ bashkëshortja, fëmijët nën moshën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, kur kryejnë studimet e larta, prindërit bashkëjetues dhe personat në kujdestari, sipas certifikatës së gjendjes familjare në çastin e vdekjes së dëshmorit të atdheut.

3. Shpërblimi ndërpritet kur asnjëri nga familjarët nuk plotëson kushtet e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, dhe kur bashkëshortja/bashkëshorti i dëshmorit të atdheut martohet përsëri.

4. Shpërblimi familjar tërhiqet nga secili familjar, sipas pjesës që i përket, nga kujdestari ligjor për fëmijët nën moshën 18 vjeç ose nga përfaqësuesi i pajisur me prokurë.

5. Në familjen e dëshmorit të atdheut, për efekt nderimi dhe mirënjohjeje, përfshihen bashkëshorti/bashkëshortja, bashkëjetuesi/bashkëjetuesja, fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat, prindërit e prindërve, emti, emta, thjeshtri, thjeshtra, mbesat dhe nipërit e dëshmorit.

6. Familjarët e dëshmorëve të atdheut, sipas pikës 2, të këtij neni, pranohen në programet e mbrojtjes sociale.

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *