Ekipet shqiptare më të rëndësishme të futbollit, Tirana e Partizani, dështuan në kompeticionet e UEFA-s, duke mos e kasluar raundin e parë paraeliminator. Natyrisht që ky është një dështim i kampionatit shqiptar të futbollit, i cili nuk ka nivelin e duhur. Përkundër asaj që deklarojnë zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit, që flasin për një “kampionat më cilësor se një vit më parë”, e vërteta është se kampionati shqiptar ka rënie dhe këtë e vërtetojnë dy element. Së pari rezultatet e dobëta në Europë, si dhe pikavarazhi i dobët i Superligës tonë në ranglistën e UEFA-s. Thënë ndryshe, mungesa e cilësisë në garë në kampionat, kushtëzon performancën e dobët të ekipeve tona në kompeticionet e UEFA-s për klube.
Tirana, as Dudelanzhin se kaloi dot
Tirana, si kampione në fuqi e vendit, luajti në Ligën e Kampioneve, duke e nisur nga turi i parë paraeliminator. Shorti i kishte caktuar Tiranës kampionen e Luksemburgut, Dudelanzhin, një skuadër që ka pasur ecuri mbresëlënëse vitet e fundit. Shorti u konsiderua relativisht i lehtë për Tiranën, e cila as nuk e diskutonte kalimin e rasundit të parë. Por ndodhi ajo që të gjithë i trembeshin, Tirana e nënvlerësoi kundërshtarin dhe nuk u përgatit mjaftueshëm për të treguar potencialin e saj në dy përballjet me luksemburgasit. Humbi sfidën e parë 1-0 dhe e cilësoi një rastësi, një anomali që nuk duhej të ndodhte, por këtë gabim e përsëriti edhe në duelin e kthimit të luajtur të martën në “Air Albania”, për pasojë humbi 2-1 dhe u eliminua me turp nga Champions. Megjithatë, Tirana, falë formatit që ofron UEFA, do të ketë mundësinë të luajë në turin e dytë të Ligës së Konferencës. Por ajo që të shqetëson lidhet me neglizhencën e Tiranës në këto aktivitete, duke mos dhënë maksimumin dhe duke mos ditur të përfitojnë as nga shorti, pra Tirana po zhgënjen në vijimësi në Europë.
Partizanit s’i falet eliminimi
Partizani pati në short në raundin e parë të Ligës së Konferencës ekipin gjeorgjian Saburtalos, një skuadër e kryeqytetit Tbilisi. Ndeshjen e parë, edhe pse e dominuan gjeorgjianët, e fitoi Partizani në transfertë, 1-0 dhe u krijua bindja do ta kishin të lehtë kalimin e turit sepse dueli i kthimit do të luhej në “Air Albania”. Por ngjashëm si Tirana, edhe Partizani zhgënjeu në sfidën e luajtur në stadiumin kombëtar, duke u mundur 1-0. Edhe pse ndeshja shkoi në shtesë, të kuqtë nuk mundën të bënin diferencën dhe ishte pikërisht Saburtalo që e dominoi ndeshjen 120 minutëshe me statistika dhe kontroll topi. Nga pika e bardhë e penalltisë të kuqtë gabuan jo pak, për pasojë u eliminuan, duke zhgënjyer tifozët e shumtë të skuadrës që prisnin tjetër gjë nga ekipi i zemrës. E gjitha kjo tregon se emrat e mëdhenj të futbollit tonë, në vend që të tregonin profesionalizëm, dëshmuan diletantizëm dhe kthim pas në kohë, shumë larg ambicieve dhe dëshirave që kanë sportdashësit shqiptarë.