Skema e degëve prioritare u miratua nga Këshilli i Ministrave në muajin maj të vitit të kaluar. Ajo synonte mbështetjen financiare për studentët e shkëlqyer dhe për studentët që ndjekin në universitete publike një nga programet që konsiderohen prioritet kombëtar.
Studentët e universiteteve publike do të përfitonin përjashtim tarifash dhe bursa sa paga minimale për çdo muaj të studimeve.
-Të gjitha ata që tre vitet e studimit i mbarojnë me notën mesatare 10 dhe provimet e maturës me mbi 9.5, e përfitojnë bursën dhe përjashtimin nga tarifat, edhe pse zgjedhin çdo lloj dege që preferojnë.
-Kategoria e dytë e maturantëve që përfitojnë, janë ata me mesatare minimumi 8.5 dhe zgjedhin një nga programet prioritare.
-Një tjetër kategori përfituese janë maturantët që kanë zënë një nga 3 vendet e para në olimpiada ndërkombëtare, në të cilat ka të paktën 15 vende pjesëmarrëse. Programi që ata zgjedhin lidhet me fushën ku ka marrë çmim.
Studentët që do të përfitonin nga ky vendim i Këshillit të Ministrave kanë detyrimin ligjor që pas diplomimit të punojnë në sektorin shtetërore të paktën 3 vite.
Megjithëse në letër duket një mundësi e mirë për studentët, statistikat tregojnë se shumë pak prej tyre kanë përfituar nga kjo skemë. Gjatë kësaj kohe, mësohet të kenë aplikuar vetëm 86 studentë pranë Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë. Edhe ata, nuk dihet nëse do të shpallen të gjithë fitues. Në total figurojnë 1236 studentë të regjistruar në degët me prioritet kombëtar.
Por, në konferencën e mbajtur ditën e sotme, ministrja e Arsimit Evis Kushi nuk e ka pranuar dështimin e kësaj skeme. Ditën e sotme ajo deklaroi se afati i regjistrimit nuk ka përfunduar ende dhe do të pritet deri ditën e fundit për të parë rezultatin.
“Afati i fundit është data 31 Janar. Ne shqiptarët i lëmë ndonjëherë edhe gjërat për në fund. Sot që flasim nuk kemi një bilanc sepse po presim të mbarojë afati dhe atëherë do të kemi rezultatin. VKM u mor në muajin maj ose prill dhe vendimi për të shkuar në universitet nuk merret as në maj dhe as në qershor sepse maturantët e kanë bërë lëndën me zgjedhje. Pritshmëritë tona më të mëdha janë për vitin e ardhshëm” – u shpreh Kushi.
Ministrja shtoi se politikat në arsim nuk i japin efektet e menjëhershme, por kërkojnë më shumë kohë.