Për të martën (19 korrik) ishte planifikuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të takoheshin në Bruksel, por ky takim nuk do të mbahet.
Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, deklaroi të hënën, se Vuçiç tregoi mosgatishmëri për takim, pasi do ta presë presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah Saeed Hussein, në një vizitë treditore në Serbi.
Bislimi deklaroi në Komisionin për Integrime Evropiane, se Serbia po e saboton procesin e dialogut, derisa sipas tij, Kosova është treguar aktive dhe me vullnet maksimal për të dialoguar.
“Ideja e takimit trilateral ka qenë që të përgatitet terreni për një takim të radhës, për këtë javë, mbase nesër mes dy krerëve të shtetit, po ashtu kjo ka dështuar për shkak të mosgatishmërisë së zotëri Vuçiq që të shkojë në Bruksel. Zotëri Kurti është deklaruar i gatshëm që sa më shpejtë të fillojë diskutimi për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, por Vuçiq ka nxjerr si arsyetim vizitën e presidentit të Egjiptit i cili pritet të qëndrojë tri ditë në Serbi”, tha Bislimi.
Deri më tani, Kurti e Vuçiç i kanë mbajtur dy takime në Bruksel. I fundit ishte para një viti.