Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me atentatin ndaj dy policëve të ndodhur gjatë mbrëmjes së sotme në Vlorë. Mësohet se policët Anxhelo Breshani dhe Nako Mehmetaj janë qëlluar me armë teksa ishin duke udhëtuar me një makinë private tip fuoristradë tip “Audi” teksa në krah është afruar një makinë tip “Volkswagen” dhe nga aty një person i panjohur ka nxjerrë armën nga xhami duke qëlluar në drejtim të policëve.
Për fat të mirë, të dy ata i kanë shpëtuar plumbave, të cilët goditur makinën. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 5 gëzhoja.
Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga gazetari Nikaj, makina e policëve është ndaluar në një krah të rrugës në lagjen “Partizani” në Vlorë dhe aty gjenden ekspertë të kriminalistikës që po marrin gjurmët për të shkuar te autorët.
Mësohet se në makinë ndodheshin një punonjës i Patrullës së Përgjithshme dhe një tjetër punonjës i Policisë Kufitare.
Ngjarja sapo ka ndodhur dhe nuk ka ende detaje në lidhje me shkakun që çuan autorët për të qëlluar ndaj policëve.