Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dinamika e masakrës së kryer ditën e djeshme, nga Dan Hutra. Ky i fundit vrau tre femra dhe plagosi tre të tjera.
Hutra ka mbërritur në shtëpinë e ish-bashkëjetueses së tij Elena Hysa, me të cilën kishte një vajzë të vogël vetëm 4-muajshe. Vrasësi është futur brenda shtëpisë private ku Hysa jetonte me familjarë të saj dhe ka qëlluar me breshëri ndaj motrës dhe kunatës së Elenës, duke i lënë të vdekura në vend. Mësohet se dy të reja kanë qenë duke larë makinën në oborrin e banesës.
Në këtë moment atij i kanë mbaruar plumbat dhe është futur në banesën e ish-bashkëjetueses Elena Hysa, ku ka marrë thikën duke e qëlluar atë dhe nënën e saj.
Më pas ka dalë jashtë banesës dhe ka rimbushur armën me plumba për t’i qëlluar pasi kishte parë që nuk i kishte vrarë ende.
Mësohet se ka qenë një fqinj i familjes Hysa i cili i është afruar Dan Hutrës dhe e ka parë që po rimbushte armën. Në këto momente ai i është drejtuar Hutrës duke i thënë “çfarë po bën?”.
Dan Hutra pasi pa që është pikasur nga fqinjët ka ndezur makinën dhe është larguar, për t’u drejtuar në banesën e 31- vjeçares Etleva Kurti, të cilës i ka marrë jetën po me armë zjarri, teksa ajo ndodhej në oborrin e shtëpisë./News24