Policia e Shtetit ka vënë në pranga 26-vjeçarin Markelian Beqiri, i cili akuzohet se ka tentuar të vrasë në muajin dhjetor me armë zjarri Arni Sulejmanin. Ky i fundit mbeti i plagosur nga të shtënat me armë, ndërsa autori u largua nga vendi i ngjarjes.
Ngjarja për të cilën akuzohet 26-vjeçari ndodhi brenda një hoteli në autostradën Durrës-Tiranë, ku në dhomë ishin tre djem dhe një vajzë transgjinore. Ende nuk dihen arsyet se përse ka nisur konflikti, por në një moment, Beqiri ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka plagosur shokun e tij 20-vjeçar Arni Sulejmani. Ky i fundit në dëshminë e tij pretendonte se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht, ndërsa ndodhet ende në spital duke u kuruar për plagën e marrë në krah. Ndërsa në pranga kanë përfunduar Anxhela Brisku dhe Enver Hysenaj.
Ndërkohë, policia vuri në pranga për ngjarjen edhe Tefik Shehun, një 32-vjeçar i dënuar me burg nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës. 32-vjeçari është dënuar për veprën penale “Moskallëzim krimi”, në lidhje me ngjarjen.
Në lidhje me ngjarjen është pyetur edhe Anxhela Brisku, transgjinorja e cila u gjet brenda hotelit në Durrës, aty ku ndodhi plagosja me armë zjarri. 22-vjeçarja ka rrëfyer se ishte e dehur dhe nuk mban mend se për çfarë arsye u plagos Sulejmani. Më tej, Brisku ka pohuar se të gjithë do të konsumonin kokainë por ende nuk e kuptoi se përse e gjithë situata devijoi deri në plagosje.
Njoftimi i policisë
Policia e Tiranës ka finalizuar operacioni e koduar “Linza dhe ka vënë në pranga një 26-vjeçar nga Durrësi, i shpallur në kërkim për vrasje me dashje të mbetur në tentativë.
Në vijim të punës për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike dhe të atyre të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për një person të shpallur në kërkim për krime kundër personit, që qarkullonte me automjet në segmentin rrugor Linzë-Surrel, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Linza”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim: Markeljan Beqari, 26 vjeç, banues lagjen nr.17/1, Durrës.
Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Ky shtetas dyshohet se më datë 09.12.2021, në ambientet e një hoteli në autostradën Durrës-Tiranë, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin Arni Sulejmanin, i cili mbeti i plagosur. Menjëherë pas ngjarjes, 26-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
/Priza.al/