Detaje të reja kanë dalë nga sulmi me armë në Top Channel, ku mbeti i vrarë roja Pal Kola. Burimet bëjnë me dije se grupi hetimor ka deri më tani tre përgjigje të sakta ADN-je, ndërkohë që po pritet përgjigja e dytë nga Europol. Përgjigja e parë nga Europol ka ardhur, në të cilën thuhet se është konfirmuar kërkesa për shenjat e gishtërinjve në ADN-të e gjetura. Europol po përpunon kërkesën për të parë nëse me këto shenja gishtërinjsh ka përputhje me vepra të tjera kriminale.
Mësohet se kanë dalë analizat e ADN-së dhe pritet që të bëhet krahasimi me personat e dyshuar me metoda speciale të krahasimit. Po ashtu janë nisur disa letërporosi në drejtim të disa vendeve të tjera jashtë Europës. Këto letërporosi janë nisur me një kërkesë për të bërë një përputhshmëri të shenjave të gishtërinjve të personave nëse janë skeduar në këto vende.
Sulmi i rëndë ndodhi pak pas mesnate më 27 mars dhe viktimë mbeti roja i sigurisë, Pal Kola 60 vjeç. Autorët iu afruan objektit të televizionit me një ‘Range Rover’ dhe qëlluan me dy kallshnikovë. Më pas, ata u larguan në drejtim të Kasharit, u futën në autostradën Tiranë-Durrës dhe morën rrugën për në Golem ku dhe dogjën makinën e përdorur në krim. Deri më tani, policia nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen dhe ka kërkuar ndihmë nga qytetarët për informacione të vlefshme. Si shpërblim ofron shumën prej 100 mijë eurosh./Dosja.al