Dalin detaje të reja nga dosja hetimore për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin. Raportohet se i dyshuari si porositës Edmond Haxhia, i ka pritur në Rinas 4 britanikët dhe portugezin.
Ai i orientonte me telefon se nga të lëviznin. Mësohet se Haxhia i ka pritur përballë një hoteli në Rinas dhe më pas i ka shoqëruar.
Burime bëjnë të ditur se britaniku Harry Simson, ka një të shkuar problematike në Britaninë e Madhe, për agresion dhe lëndë narkotike. Për sa i përket autorit portugez, ai ishte me origjinë arabe.
Ai është larguar nga dogana e Kapshticës më drejtim të Greqisë së bashku me dy britanikët e tjerë. Dyshohet se janë ende në Greqi. Simson dhe Edmond janë larguar nga Rinasi.
Ata kanë tentuar ta kryenin ekzekutimin edhe në datat 16-17-18 prill, por nuk e kanë mundur që ta kryejnë. Sipas burimeve ata kanë pritur dhe janë filmuar duke qëndruar në zonë në këto data për 6-8 orë. Por Nikulaj ka qenë i shoqëruar dhe nuk e kanë kryer dot vrasjen.
Kontrolle po kryhen edhe për të gjetur banesën në Shkodër ku dyshohet se ka qëndruar autori portugez.
Sa i përket dëshmisë së vajzës, mësohet se ka qenë ajo që i ka identifikuar të gjithë autorët.