Të tjera detaje dalin në dritë nga vrasja e 30-vjeçarit Can Kariçi, mbrëmjen e kaluar, në Bathore të Kamzës.
Policia ka gjetur brenda makinës së viktimës një armë zjarri tip pistoletë, që dyshohet se është përdorur në një tjetër ngjarje kriminale.
Kjo edhe për shkak se viktima ishte me precedentë penalë, ndërsa arma e gjetur në mjetin e tij është dërguar në laborator për ekspertim.
Makina e djegur në Institut që dyshohet se u përdor nga autoret është me targa të huaja. Ndërkohë po verifikohen nëse targat janë regjistruar në ndonjë shtet. Në brendësi të saj u gjet një armë zjarri kallashnikov që dyshohet se është arma e krimit.
Pistat hetimore janë fokusuar në të shkuarën kriminale të viktimës, pasi sipas informacioneve të policisë, ai ishte pjesë e një grupi kriminal, ku bënin pjesë edhe dy viktimat e nëntorit në Astir, Eriges Mihasin dhe Armand Dumani, dhe dyshohet se vrasjet kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Can Kariçi u gjet i plagosur në makinën e tij rreth orës 20:00 dhe ndërroi jetë rrugës për në spital.
/Priza.al/