Është arrestuar në kryeqytetin italian, Romë, Adriatik Llalla, i cili ishte shpallur në kërkim prej disa kohësh.
Burime për Top News bëjnë me dije se Llalla u arrestua në hotelin ku rrinte. Procedura e ekstradimit për Llallën, kërkon nga 2 deri në 3 javë kohë.
“Momentalisht ai po mbahet nën mbikëqyrje, ndodhet ose në kuesturë ose në Interpol,” bëjne me dije të njëjtat burime.
GJKKO vendosi dënimin me 2 vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave, i cili bëhet kështu zyrtari më i lartë shqiptar që do të shkojë përfundimisht në qeli.
Ish-Kryeprokurori është dënuar gjithashtu me 5 vite përjashtim nga postet publike si dhe ia janë konfiskuar disa pasuri.
Bëhet e ditur se Llalla është arrestuar me datë 10 të këtij muaji.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi më (20.05) ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla, me 2 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga funksionet publike.
Kjo gjykatë e gjykoi atë fajtor për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë” dhe vendosi sekuestrimin e një pjese të pasurisë së tij që deri tani ishte nën sekuestro preventive.
Sipas vendimit të gjykatës, ish-Prokurori i Përgjithshëm, Llalla ka fshehur pasurinë dhe ka dhënë informacione të rreme në deklaratat e përvitshme, që zyrtarët e lartë janë të detyruar të bëjnë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit, Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, lidhur me pasuritë e tyre.