Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me hetimet për vjedhjen e shumave të mëdha të parave nga pastruesja Rozeta Dobi në banesën e ish-zyrtares së shtetit Alda Klosi.
Sipas News24, në emër të pastrueses Rozeta Dobi janë gjetur llogari bankare me shumë të konsiderueshme parash, të cilat pritet të bëhen publike. Ndërkohë në banesë asaj iu gjetën edhe para cash, në vlerën e rreth 500 mijë eurove.
Sot Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi dolën para gjykatës, e cila vendosi arrest me burg për të dy.
49-vjeçarja ka deklaruar në dëshminë e parë të dhënë për policinë se ka grabitur shumën prej 120 mijë eurosh “nga urrejtja që kishte krijuar ndaj shtetases Alda Klosi”.
Ajo ka treguar se më 15 dhjetor i kërkoi djalit ta dërgonte në banesën e zyrtares dhe më pas ka hyrë në dhomën e saj, duke hapur kasafortën ku ndodheshin monedha të prereje 500, 200 euro dhe 100 dollarë.
“Në datë 15.12.2022 i kërkova djalit tim shtetasit Havier Dobi të më dërgonte me makinë tek banesa e Aldes. Gjatë kontrollit ka vënë re se në dhomën e gjumit në dollap ajo mbante një kasafortë e cila ishte në ngjyrë gri. Pasi e ka hapur atë brenda saj ka konstatuar se ndodheshin shuma monetare të prerjeve 500, 200 euro dhe 100 dollarë, në moment që i ka parë këto shuma parash nga urrejtja që kishte krijuar ndaj shtetases Alda Klosi i kam marrë paratë dhe është larguar më pas me mjetin e djalit të saj. Deklaron se shuma e parave të gjetura në banesën time është nga shuma e lekëve që ka marrë në banesën e shtetases Alda Klosi”, thuhet në dosje.