Autori i dyshuar i vrasjes së Anila Ruçit ka lënë ambientet e spitalit. Osman Bilyhu, 31 vjeç është dërguar në burgun e Torre del Gallo. Kushtet e tij shëndetësore u përmirësuan pas ngjarjes së rëndë ku vdiq 38-vjeçarja në zonën e Scaldasole.
Sipas asaj që shkruajnë mediat, 31-vjeçari u gjet me plagë të rënda në bark dhe kraharor më 19 Prill. Ai kishte thënë para policisë se i kishte marrë plagët nga “një sulm me thikë nga një person i panjohur, gjatë së cilit u vra gruaja ndërsa ai u plagos”.
Por kjo dëshmi mbeti e pabesueshme për hetuesit derisa kuptuan se plagët në trupin e tij ishin shkaktuar nga vetë ai. Në këtë rezultat doli ekspertiza e mjekëve. Po ashtu, u morën nën shqyrtim kamerat e sigurisë të cilat nuk filmuan asnjë person tjetër që të hynte apo të dilte nga shtëpia e tyre.
Janë këto dy elemente plus vonesa e raportimit të ngjarjes që ngritën dyshimet tek autoritetet. Sipas asaj që shkruajë mediat, alarmi u ngrit në orën 16:00, ndërsa sulmi dyshohet se ka ndodhur në orën 05:00 të mëngjesit.
Këto për hetuesit përbëjnë incidie të rënda faji kundër tij dhe ka ende shumë rrethana për të sqaruar. Mbi të gjitha motivin. Deri më tani nuk dihet se pse e kreu vrasjen.
Marrëdhënia mes Bilyhut dhe Ruçit nuk është përcaktuar ende. Në fshat ata e prezantonin njëri-tjetrin si motër e vëlla, por nuk ishin ashtu. Madje dyshimet janë që mes tyre nuk ka pasur një lidhje dashurie.
Motra e vërtetë e 31-vjeçarit, e cila jeton në një provincë të Pavias po pret autorizimin që të takojë vëllain. Ky i fundit nuk ka njohur avokaten që ka vendosur e motra, duke kërkuar një të ri.
Anila Ruçi u gjet e pajetë e goditur me thikë në qafë në derën e pasme të banesës së saj. Ajo që dha alarmin ishte estetistja e saj pasi e reja kishte planifikuar një takim me të, por nuk ishte paraqitur.