Rreth 40 gra brenda një viti e humbin betejën nga kanceri në qafën e mitrës në Maqedoninë e Veriu. Pavarësisht këtyre të dhënave, vaksinimi kundër papilloma virusit human (HPV) që shkakton këtë sëmundje, në vazhdimësi shënon rënie.
Mjeku Goran Dimitrov, njëherësh kryetar i Shoqatës së Mjekëve, thotë për Radion Evropa e Lirë se dezinformatat janë ato që i dekurajojnë nënat për t’i vaksinuar vajzat e tyre megjithëse vaksina HPV është e detyrueshme për të gjitha vajzat e moshës 9 deri 26-vjeçare, si pjesë e kalendarit për vaksinim nga viti 2010.
Ai bën të ditur se gjatë vitit 2019 përfshirja me këtë vaksinë ka qenë 57 për qind, në vitin 2020 rreth 42.5 për qind, për t’u ulur në 35 për qind gjatë vitit 2021.
“Para së gjithash, mendoj se shkalla e ulët e vaksinimit ka të bëjë me grupet që kanë mendime të ndryshme, të cilat që veprojnë si grupe kundër vaksinimit. Grupe kundër vaksinimit gjinden kudo po edhe në vendin tonë”, thotë mjeku Goran Dimitrov.
Prindërit thonë se sa më shumë informacione që marrin, aq më shumë shtohet konfuzioni nëse duhet ose jo t’i vaksinojnë vajzat e mitura me vaksinën HPV.
Ivana, nënë e një vajze 13 vjeçe për Radion Evropa e Lirë thotë se në vazhdimësi konsultohet me mjekët për rëndësinë e kësaj vaksine. Por, sapo hap internetin ballafaqohet me stuhi informacionesh që janë dekurajuese për sa i përket vaksinimit kundër kancerit në qafën e mitrës.
“Më besoni fillon të më dhembë koka sa herë që tentoj të marr më shumë informacione nëse duhet ose jo ta vaksinoj vajzën time me HPV. Më në fund vendosa ta prolongoj vaksinimin për më vonë, në fakt deri në momentin kur do t`i kem më të qarta të dhënat rreth kësaj vaksine”, thotë Ivana.
Lumja, pa asnjë hezitim e ka vaksinuar vajzën e saj në momentin që është marrë aksion nga shkolla ku mëson e bija, që vajzat mbi moshën 12 vjeçe duhet të vaksinohen me vaksinën HPV.
“Mësuesja më informoi se në ditën e caktuar do ti dërgojë vajzat për vaksinim dhe kjo m’u duk shumë e natyrshme, pasi duhet besuar institucioneve në këtë rast Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit”, thotë Lumja.
Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë kanë nxjerrë në pah se në vend për çdo vit diagnostikohen më shumë se 150 gra me kancer në qafën e mitrës.
Makedonka Ikonomova nga shoqata joqeveritare “Jemi Dashuri”, e cila në fokus ka ndihmën për gratë që vuajnë nga kanceri në qafën e mirës dhe në gji, për Radion Evropa e Lirë tregon se ajo qysh para 10 viteve kur kjo vaksinë ishte tabu, pa pikë hezitimi e ka vaksinuar vajzën e saj tash 21 vjeçe.
Ikonomova kujton se në atë kohë nuk ka qenë e diagnostifikuar me kancer, por siç thotë më vonë kur është prekur nga kanceri, ndihet e lumtur që vajzën e ka mbrojtur me kohë nga kjo sfidë.
“Parë nga aspekti se me çfarë sfidash të vështira përballen gratë me kancer në mitër në kuadër të shoqatës që drejtoj, mund të them se shumë më mirë është që të parandalohet sëmundja pasi rruga e shërimit është shumë e vështirë.
Lufta me dezinformuat është një diçka për të cilën të gjithë duhet të angazhohen pasi rreziku nga kjo sëmundje është shumë i madh”, thotë Ikonomova.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë përmes ekipeve të mjekëve specialistë të kësaj fushe, synon të sensibilizojë opinionin për përfitimet e vaksinës kundër papilloma virusit human (HPV) që shkakton kancerin në qafën e mitrës, duke realizuar takime me prindërit dhe duke shpërndarë broshura me informacione rreth përfitimeve nga kjo vaksinë./REL